“Si futbollist jam ndjerë gjithmonë i lumtur, si tifoz më duket pozitiv fakti që ka dy turne të rëndësishëm, Kupa e Botës dhe Kampionati Evropian, të cilët zhvillohen çdo dy vite. Unë jam absolutisht i bindur se gjërat duhet të mbeten ashtu siç janë”.
Kjo u tha nga ish-kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, i cili nënvizoi kundërshtimin e tij ndaj synimit të FIFA-s për të organizuar Botërorin çdo dy vite. Lahm, kampion bote më 2014 në Brazil, në moshën 37-vjeçare drejton “makinerinë” organizative të “Euro 2024”, turneut kontinental që do të zhvillohet tërësisht në vendin e tij, në dhjetë stadiume të ndryshme.
Gjatë ditës, një sulm i ashpër mbi hipotezën e Kupës së Botës çdo dy vite erdhi nga sindikata e futbollistëve profesionistë (FifPro), sekretari i përgjithshëm i të cilës, Jonas Baer-Hoffmann, tha se të gjitha fjalimet në këtë drejtim janë “të orientuara nga interesat komerciale”.