Zv/kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Toni Gogu të premten pasdite ka reaguar në lidhje me largimin e mazhorancës nga mbledhja e këtij komisioni.
Gogu tha se në shkelje të ligjit për komisionet hetimore dhe të rregullores së Kuvendit, kryetari i këtij komisioni z.Enkelejd Alibeaj, në mënyrë të përsëritur, injoroi të drejtën e mazhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft-rregullores, deri në shkeljen flagrante të mos marrjes në konsideratë të rezultatit të votimit.
“Në shkelje të ligjit për komisionet hetimore (neni 10/1, 11/1 , 13/2 dhe 24) dhe të rregullores së kuvendit ( neni 25/2 , 34, 38, 49, 50, 51, 71, 75 e në mënyrë të posacme të nenit 76, Kryetari i komisionit hetimor zoti Alibeaj, në mënyrë të përsëritur injoroi të drejtën e maxhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores deri në shkeljen flagrante të mos marrjes në konsideratë të rezultatit të votimit“, sqaron ai.
Sipas tij, pas thirrjeve të vazhdueshme për të futur në shinat e ligjshmërisë procesin e votimit, anëtarët e mazhorancës së këtij komision u detyruam të kërkonim pushim sipas nenit 39/1, paragrafi 3.
Ai theksoi se provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore”, anëtarët socialist nuk do i përgjigjen kurrë pozitivisht.
“Jemi të vendosur të mos lejojmë në asnjë moment në veprimtarinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, imponimin e dhunshëm të kulturës së tyre partiake të votimit”, tha ai.
Gogu theksoi se mazhoranca ka vullnetin për rifillimin në çdo moment të mbledhjes në respekt të plotë të Rregullores së Kuvendit.
Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit këtë të premte dështoi për të miratuar rregulloren e brendshme të funksionimit.
Dy orë debat nuk shërbyen për të gjetur dakordësinë sa i takon te drejtës së deputeteve për të kërkuar prova.
Socialistët kërkuan që asnjë informacion apo dëshmitar të mos thirret pa u kaluar më parë në votim.
Komisioni nuk merr dot vendim pa kuorum dhe ky ishte momenti kur anëtarët socialist e braktisën komisionin, duke bllokuar miratimin e rregullave të brendshme.
Demokratët hodhën akuza ndaj mazhorancës për pengim të hetimit të zgjedhjeve.
Në pamundësi për të pasur një rregullore të dakordësuar, Enkelejd Alibeaj sqaroi se komisioni do funksionojë sipas rregullores që përcakton Kuvendi.