Nga sot në akset rrugore është vendosur pajisja inteligjente, e cila monitoron 24/7 lëvizjen e mjeteve në rrugë dhe në kohë reale përcjell të dhënat në sallën operative të qarkullimit rrugor, ku bëhet verifikimi dhe printimi i gjobave për ndëshkimin e kundravajtësve. Drejtori i Policisë Rrugore Dhimitraq Ziu tha sot në një prononcim për mediet se “radari me parametra të cilësisë së fundit është i certifikuar nga organi i Komitetit Europian, nga Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë, janë bërë edhe procedura standarde dhe duke filluar që sot do të fillojë nga puna”.

“Është pajisje moderne e prodhuar në vitet 2020 , përdoret në mjet Volkswagen e vitit të prodhimit 2021, ka dy kamera, katër radër, kap shpejtësinë, rripin e sigurimit, telefonin mund të përdoret në autostradë, kap korsitë 3 para dhe 3 në ardhje nga mbrapa, si dhe identifikon gjininë e personit, drejtuesin e mjetit dhe targën”, informoi Ziu. Sipas tij, është pajisje që identifikon kundërvajtësin, personat e tjerë që ndodhen në mjet apo në këmbë nuk i identifikon, ndëshkon vetëm personat që kanë lidhje me shkeljet.

“Kjo pajisje është e dedikuar të vendoset vetëm në mjet. Bëhet kolaudimi i mjetit dhe i pajisjes, në varësi të sinjalistikës. Për shembull këtu jemi me 90 km/h dhe ajo vendoset me 90 km/h dhe çdo shkelje e normave të lejuara mbi këtë shpejtësi konsiderohet shkelje dhe i kap në mënyrë automatike, kap shpejtësinë, rripin dhe celularin”, sqaroi Ziu. Drejtori i Policisë Rrugore Dhimitraq Ziu vuri në dukje se “ta ketë bindje çdo shofer, që kjo pajisje nuk pranon ndërhyrje. Gjoba kalon në mënyrë automatike dhe operatori bën printimin, pasi ato janë të identifikuara, si shpejtësia, si rripi, si telefoni. Pajisja punon edhe në kushtet e errësirës”.

“Kemi të dhënat e dosjes së çdo drejtuesi mjeti, i cili ka vendosur adresën e banimit. Kjo pajisje dhe procedura e punës, përcakton qartë rregullat. Nga momenti i konstatimit të shkeljes dhe të gjitha shkeljet që do të jenë me masë të tërheqjes së lejes së drejtimit, do të shpallen nën alert”, – tha Ziu.