Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar investimet e reja në Poliklinikën dhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku deklaroi se me instalimin e aparaturës së mamografisë së re në këtë spital, garantohet plotësisht aksesi në shërbim për të gjitha gratë.
“Kemi investuar qoftë për mamografi për herë të parë në disa spitale rajonale, qoftë kemi rinovuar mamografi, sikurse këtu në Poliklinikën e Shkodrës, ku tashmë janë kryer mamografitë e para përgjatë këtyre ditëve”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se është rritur ndërgjegjësimi për luftën kundër kancerit të gjirit gjatë këtij muaji. “Janë kryer më shumë se 5000 mamografi vetëm për këto ditë të muajit Tetor, duke bërë një hov të ndjeshëm për sa i përket gjithë periudhës tjetër të vitit. Të mos harrojmë që shumë gra e kanë neglizhuar kontrollin rutinë të gjirit, edhe ekzaminimin mamografik e kanë shtyrë për momente të tjera, duke qenë se edhe pandemia ka influencuar, por çfarë është e rëndësishme, me ndërgjegjësim dhe sensibilizim, ne kemi arritur të kryejmë mamografi në 20 ditë sa kemi kryer nga Janari në Shtator të këtij viti, që do të thotë se ka funksionuar sensibilizimi, puna e mjekut të familjes, patjetër edhe media dhe gjithë rrjeti kapilar dhe vetë gratë më saktë që janë katalizator në këtë pikë të shpërndarjes së informacionit”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu i bëri këto deklarata nga Shkodra, ku ka marrë pjesë bashkë me Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen Edona Bilali dhe Prefekten Majlinda Angoni, në një aktivitet të organizuar nga strukturat shëndetësore të Shkodrës në kuadër të Tetorit Rozë, fushatës ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.