Një tjetër metodë e avancuar për ndërhyrjet në zemër po aplikohet me sukses nga ekipi i Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thekson se kjo metodë ka zgjeruar gamën e operacioneve të shkallës së lartë të vështirësisë.

“300 gra dhe vajza të reja i janë rikthyer jetës normale, falë ndërhyrjeve për zëvendësimin e valvulave të zemrës dhe korrigjimin e defekteve me teknikat mini invazive, të realizuara me sukses nga dr. Altin Veshti dhe ekipi i Kardiokirurgjisë”, – shprehet Manastirliu.

Shërbimi i Kardiokirurgjisë në QSUT “Nënë Tereza” kryen operacione për të trajtuar ndërlikimet e sëmundjeve ishemike të zemrës, sëmundjet e lindura të zemrës apo trajtim të sëmundjeve valvulare nga shkaqe të ndryshme si endokarditi, sëmundje reumatike të zemrës dhe arteriosklerozës. Zhvillimi i kardiokirurgjisë dhe teknikat kardiopulmonare kanë ulur normat e vdekshmërisë së këtyre operacioneve.

Trajtimi për sëmundje të fituara të zemrës përfshin “bypass” (bajpas) të arterieve koronare, riparimin dhe zëvendësimin e valvulave, trajtimin e aneurizmave torakale, futjen e stimuluesve kardiakë.