Tiranë, 5 Tetor – Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Punën Çeshtjet Sociale dhe Shëndetësinë, kryetarja e këtij komisioni, deputetja e PD, Albana Vokshi, ka akuzuar Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu se gjatë fushatës ka bërë patronazhisten, duke shkuar shtëpi më shtëpi.
Nuk ka vonuar replika e ministres Manastirliu që i ka kujtuar Vokshit humbjen që ajo ka pësuar në Njesinë 9 si përfaqësuese e Partisë Demokratike.
“Më vjen keq, sepse prisja të merreshit me interesin e opinionit publik dhe jo të shfaqnit ndjesinë që të ka lënë humbja. Por edhe në humbje njeriu duhet të ketë klas”, ishte kundërpërgjigjia e Manastirliut.
Referuar rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor në Njesinë 9 ku Znj. Vokshi dhe ministrja Manastirliu kandidonin në zgjedhjet e 25 prillit 2021, rezulton se votat që deputetja demokrate ka marrë janë vetëm 728 vota nominale, një rezultat dukshëm më i ulët se 4540 votat që ministrja Manastirliu ka marrë në këtë zonë.
Partia Socialiste në Njesinë 9 mori 13131 vota, ndërsa Partia Demokratike 11590 vota.