Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në prezantimin para Kuvendit të Aktit Normativ që i hap rrugën mbërritjes së 500 mijë dozave Pfizer brenda 3 muajsh, ka informuar deputetët në lidhje me sasitë e vaksinave që do të mbërrijnë në Shqipëri, në kuadër të planit të vaksinimit masiv.
“Akti normativ që miratojmë sot, i hap rrugë sigurimit në një kohë shumë të shpejtë, brenda 3 muajsh, të 500 mijë vaksinave Pfizer, seria e parë e të cilave vjen brenda Tetorit. Eshtë hapi i radhës, në një seri tashmë të panumërt hapash, në rrugëtimin tonë të nisur prej muajit dhjetor, për të sjellë në Shqipëri vaksina të sigurta dhe të çertifikuara”, deklaroi Manastirliu.
Më tej, Ministrja e Shëndetësisë shtoi se kanë mbërritur dhe kanë nisur të shpërndahen 188 mijë doza të vaksinës AstraZeneca falë mbështetjes së Italisë si pjesë e instrumentit Covax.
“Kanë mbërritur dhe po shpërndahen sot edhe 188 mijë doza vaksine AstraZeneca, falë mbështetjes së Italisë mike, si pjesë e instrumentit COVAX, duke mbërritur në mbi 2 milion 262 mijë doza të ardhura në vend. Brenda këtij viti do të arrijmë në mbi 3 milion doza të mbërritura, dhe mbi 5 milion doza deri në vitin 2022, me kontrata e marrëveshje tashmë të siguruara”, bëri me dije Manastirliu duke garantuar se do të bëjnë gjithçka për të siguruar vaksinat e nevojshme për çdo qytetar.