Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i është përgjigjur akuzave të opozitës në Parlament në lidhje me numrin e qytetarëve të vaksinuar me dozat të vaksinës anticovid duke paraqitur dhe të dhënat e publikuara në Our World in Data.
“Përsa i përket vaksinimeve dhe përqindjes së tyre janë disa indikatorë që masin vaksinimet, jo tabelat tuaja që i merrni nga një site i cili bashkon të dhëna.
Ka disa të dhëna OBSH, e cila paracakton se cilat janë përqindjet dhe indikatorët që shtetet vlerësojnë vaksinimin. Dhe këto janë absorbimi i vaksinave, niveli i absorbimit të vaksinave”, tha Manastirliu.
Sipas të dhënave nga Our World in Data, Shqipëria renditet në vendin e dytë në rajon pas Serbisë, përsa i përket absorbimit të vaksinave anticovid, duke lënë pas Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Të dhënat e publikuara nga Our World in Data tregojnë që deri në datën 5 tetor, Serbia ka kryer 5.97 milionë vaksina, Shqipëria ka kryer 1,771,542 vaksinas, Kosova 1,343,656 vaksina, Maqedonia e Veriut 1,518,087 vaksina, Bosnje dhe Hercegovina 1,242,203 vaksina dhe Mali i Zi 247,176 vaksina.
Manastirliu në fjalën e saj ka akuzuar opozitën që bën kundrapedalin duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos vaksinohen.
“Nuk jemi të parët jo, se skemi si të jemi të parët se kemi një opozitë që po bën kundrapedalin dhe u thotë qytetarëve mos u vaksinoni, mos shkoni në spital, mos u trajtoni se nuk ka asgjë, se ky vend nuk ka asgjë”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit në Shqipëri janë kryer në total 1,778,093 doza të vaksinës ndaj COVID19, nga të cilët 820,946 i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.
Janë vaksinuar me 1 dozë rreth 45% e popullatës target +18 vjeç dhe me dy doza mbi 37% e tyre. Ndërkohë në raport me popullatën e plotë, mbulesa vaksinale është mbi 35% me një dozë dhe 29 % të vaksinuar plotësisht.