Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet e 25 prillit duke u bërë partia e parë në Shqipëri me 3 mandate qeverisëse rresht. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se mandati i tretë për PS është një risi sepse deri më sot asnjë parti nuk kam mundur të ketë 3 mandate. Sipas zotit Gjiknuri kjo do të thotë se duhet një qasje tjetër për organizimin dhe përgatitjen e PS-së për të përballuar sfidat e reja që sjell mandati i tretë. Gjiknuri: Mandati i tretë është një avantazh për partinë në pushtet, por nga ana tjetër kërkon një qasje tjetër nga ana e PS-së për të absorbuar edhe ndonjë konsum, edhe ndonjë problematikë që mund të paraqesë mandati i tretë dhe natyrisht një organizimi më i mirë i PS-së do të bëjë që kjo forcë të përballojë edhe garat e tjera elektorale.
Kryeministri Rama vendosi afatin 100 ditor për sekretariatet. Gjiknuri shprehet se ky afat është më shumë një afat për të përgatitur një platformë riorganizmi, gjë që ne po e bëjmë përditë. Gjiknuri: Ka të bëjë me analizat post-zgjedhore që do të zhvillojë PS në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor për të nxjerrë konkluzionet se çfarë shkoi mirë në fushatë dhe çfarë duhet përmirësuar si dhe ngritja e një platforme të re e cila është e bazuar në një platformë dixhitale. Në këtë platformë do integrohen të gjitha të dhënat e partisë me detyra organizative që duhet të bëjë partia në periudha mes-zgjedhore. Qëllimi është të kemi një parti të aftë edhe në periudha që quhen pushim.
Zoti Gjiknuri foli dhe për tërmetin, të cilin e cilësoi si një metaforë për fitoret e rëndësishme politike. Gjiknuri: Tërmetin do ta quaja një metaforë për fitoret e rëndësishme politike, vetë mandati i tretë i PS-së është një tërmet elektoral sepse asnjë nuk e ka menduar që një parti do fitonte mandatin e tretë. Sipas zotit Gjiknuri një organizatë poliitke duhet të jetë koherente me organizimin, të jetë e aftë dhe një makineri që vajiset gjithë kohës në mënyrë që kur te vijnë garat elektorale gjithë ky organizim i mirë të kompensojë edhe ndonjë defekt që mund të vijë nga konsumi i gjatë në pushtet. Gjiknuri u shpreh se do t’i tregojnë shqiptarëve që janë më të mirët.