Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Politikën e Jashtme, kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE. Mazi theksoi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare. Në lidhje me pyetjen e bërë nga deputetja e PD-së, Grida Duma se a i ka plotësuar Shqipëria të gjitha kërkesat, Mazi tha se në konkluzionet e mbledhjes së marsit 2020 në Zagreb të Kroacisë u rreshtuan 15 rekomandime nga të cilat 11 janë rekomandime kërkesa për t’u plotësuar, 4 ishin kushte.
“Tek ne është keqinterpretuar 4 dhe 11, janë quajtur të gjitha kushte. Unë e kuptoj, ka qenë valë, situatë para zgjedhjeve. Problemi është se janë marrë një e nga një dhe unë kam qenë personalisht në krye të kësaj pune dhe në koordinim me të gjitha ministritë, që të 15-ta të ndiqeshin hap pas hapi. Kemi raportuar në komisionet e Politikës së Jashtme dhe në të gjitha komisionet përkatëse si dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në Parlament. Unë kam ardhur vetë dhe kam marrë pjesë disa herë. Këto ecuri që ka pasur vendi ynë për plotësimin e këtyre 15 pikave i janë raportuar rregullisht nga ana ime komisionit dhe shteteve anëtarë të unionit që kanë ambasador këtu si dhe Brukselit. Çdo muaj kemi dërguar 11 raporte përditësimi si ka ecur puna për plotësimin e kërkesave”, tha Mazi.
“Në mars të këtij viti, me 1 mars pas tre vitesh u bë mbledhja në Bruksel e Këshillit të bashkëpunimit të zbatimit të MSA midis Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Në këtë mbledhje të këshillit ku mora pjesë, delegacionin e kryesonte Kryeministri, si në mbledhje me dyer të mbyllura ashtu edhe në konferencën për shtyp. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi thanë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kuptohet se në mars të këtij viti ishte përsëri konflikti maqedon-bullgar, por u theksua merita e vendeve. Kjo është baza e zgjerimit të rajonit”, tha Mazi.