Në ditën e dytë të takimit të ministrave të vendeve të Aleancës në Bruksel, udhëheqësit politikë diskutuan edhe për bashkëpunimin NATO-BE.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Shqipëria ka kontribuuar për tre vite në misionin e NATO-s në detin Egje, por për t’u nënvizuar janë edhe prezenca e FA në Mali dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në këtë sesion, ministri Peleshi u ndal edhe në rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në këtë rajon. “Këto dy vende po avancojnë objektivat e tyre strategjikë në rajonin tonë, nëpërmjet lidhjeve të tilla historike, kulturore, ekonomike, apo nëpërmjet influencës së tyre në vende apo pjese te rajonit”.
Ministri Peleshi përpara homologëve të tij nuk la pa përmendur edhe ngjarjet e javëve të fundit në Kosovë, për të cilat ai kërkoi vëmendje më të madhe nga Aleanca. “Ngjarjet e fundit të ndodhura në veri të Kosovës nuk janë dhe nuk duhet të trajtohen si të izoluara. Ne jemi dëshmitarë të një modeli shqetësues që na prezantohet nga pala serbe, e cila vijon të pajiset me sisteme moderne armatimi nga Rusia dhe Kina, sterviten bashkerisht dhe siç ishim dëshmitarë së fundmi, dërgoi trupa ushtarake në kufirin me Kosovën, të cilët u ‘bekuan’ edhe nga ambasadori rus në Beograd. Në këndvështrimin tonë ky është një mesazh shumë shqetësues, të cilit Aleanca duhet t’i kushtojë rëndësinë e duhur.
Shqipëria të gjithë ne në NATO apo në BE, duhet të jemi të kujdesshëm që në rastin më të mirë t’i ‘kalibrojmë’ qasjet dhe deklaratat që të mos mbeten të paqarta kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës, e cila është në të drejtën e saj dhe i duhen njohur përpjekjet për të siguruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët. Kosova nuk është as çerek shteti, as gjysmë shteti, por shtet në kuptimin e plotë të fjalës.”- theksoi ministri Peleshi.
Gjatë punimeve të këtij Ministeriali, Peleshi u takua edhe me ministrat e Mbrojtjes së vendeve kontribuuese në misionin e NATO-s në Letoni. Ministrat diskutuan kontributet aktuale dhe ato të planifikuara, si dhe çdo çështje që ka të bëjë me mbarëvajtjen e këtij angazhimi.
Shqipëria është një ndër vendet që kontribuon në Grup-Batalionin e NATO-s në Letoni, i cili ka në përbërje ushtarakë nga vende të tilla si: Kanadaja, Çekia, Italia, Mal i Zi, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja. Deri më tani vendi ynë ka kontribuuar në këtë mision me 1392 trupa në total.