Në përfundim të konferencës së kryetarëve kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se nuk ka një pazar me PD për arritjen e konsensusit të zgjatjes së organeve të Vetingut si pjesë e Reformës në drejtësi.

Balla tha se e konsideron vettingun një çështje tepër teknike tek e cila politika duhet të rrijë larg. Ai theksoi më tej se ka një gatishmëri për të qenë në mënyrë vijuese, të hapur, për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështjeje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë.

“E para duhet tju sqaroj që ekspertët tanë janë duke punuar intensivisht edhe me 2 institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi për të konkluduar në amendamentin për zgjatjen e afatit të komisionit të përkohshëm të kualifikimit. Në kuptimin që të arrijmë të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendamet. Unë e konsideroj një çështje teknike dhe politika duhet të rrijë larg në kuptimin e rëndësisë që ka vetingu dhe në kuptimin e vlerësimit që ka vetingu. Do propozoja që askush prej nesh të mos e politizojë dhe ta mbajmë si një çështje tepër teknike si vijueshmëri të reformës në drejtësi.

Nuk ka asnjë lloj pazari në thonjëza, sepse kjo është çështje e rëndësisë së veçantë ku secili prej deputetëve të marrë përgjegjësinë që i takon. Sa i përket çështjeve të tjera ne jemi të hapur për të diskutuar pa rezerva çdo çështje që mund të vijë nga ana e opozitës në kuvend”, tha Balla.

Ndërkohë ai nënvizoi se do rrëzohet kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për “Becchetin” dhe se maxhoranca do miratojë dy komisionet e tjera hetimore që ka kërkuar opozita, atë për zgjedhjet e 25 prillit dhe për inceneratorët.

“Diskutuam ngritjen e komisionit për hetimin e zgjedhjet të 25 prillit, ngritja e të cilit do të votohet të enjten. Jemi duke punuar për dakordësimin për projektvendimin për komisionin hetimor për çështjen e trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që do rrëzohet kom hetimor për çështjen Becchetti”, tha ai.