Nga Artur Ajazi
Kryedemokrati Lulzim Basha konfirmoi se “do të propozojë në Kuvend,Vetting për politikanët, i cili ka për qëllim goditjen e politikanëve të cilët janë të lidhur me kriminelët dhe pastrojnë paratë ndërmjet tyre”.Pjesa më e rëndësishme e Vetting-ut, zoti Basha thotë se “është futja e filtrit anti-mafia, që do të shërbejë për të konstatuar burimin e parave të politikanëve”. Sipas tij “në momentin që konfirmohet se politikani ka lidhje me krimin e organizuar ose pasuria e tij nuk justifikohet, atëherë t’i hiqet mandati dhe e drejta për të rikandiduar sërish”. Duket se deri këtu gjithçka është “ok”. Por këtë propozim në legjislaturën e kaluar, e ka bërë një prej deputetëve të mazhorancës, dhe asokohe ishte Sali Berisha por edhe zëra të tjerë pas tij, që ishin “mosbesues pasi do të manipulonte Edi Ram procesin”.
Ndërkohë nuk dihet përse Lulzim Basha, pikërisht tani “kujtohet” për Vetting-un në politikë ? Sa i sinqertë është propozimi i tij, e ka menduar vallë se, në rast se nis Vertting-u në politikë, në partinë e tij mbeten vetëm “prurjet” e reja, dhe askush tjetër ? Propozimin e tij, Lulzimi ka vendosur ta bëjë si ballancë ndaj akuzave të Sali Berishës, për ti treguar atij se, “ja opozita punon dhe lufton dhe nuk merret me foltore”. Ndërkohë kryetari de jure i demokratëve, e di fare mirë se një Vetting, (apo qilizëm) në politikë, do ti nxirrte “ujin e zi” Partisë Demokratike, duke nisur nga Berisha, Basha, Noka, dhe shpura e pasuruar në miliona euro gjatë pushtetit tyre.
Askush nga garda e vjetër e PD, nuk mund të justifikojë vilat, pallatet, makinat 150 mijë euroshe, depozitat bankare brënda dhe jashte vendit, apo dhe banesat e blera në kryeqytetet e Europës, me rroga dhe shpërblime. Një Vetting në politikë, do të ishte një mrekulli, dhe do të nxirrte jashtë saj, shtresën më të korruptuar të vendit, natyrisht duke i përballur ata edhe me sanksione ligjore.Gjithë paraja e pistë,është sot në duart e politikanëve, në xhepat e tyre, ndërkohë që ka shqiptarë që vuajnë për të përballuar shpenzimet mujore. Bëre mirë që kishe kurajon të formuloje një propozim për Vetting-un në politikë zoti Basha, por që të arrihet kjo nuk mjafton vetëm fjala por edhe vepra. Me Vetting-un në politikë, nuk mund të justifikosh dhe kamuflosh luftën e brëndshme në PD, as nuk mund të besosh se “mund të fshehësh pas gaxhoit pasurinë e pamerituar”. Më shumë se kurrë ndonjëherë, politika shqiptare ka nevojë urgjente për Vetting në gjithë perimetrin e saj. Ai proces, që natyrisht në rast se gjen dakortësi mes palëve në Parlament do të monitorohet nga SHBA-ja, do të spastrojë njëherë e mirë klasën politike nga të korruptuarit, dhe ata që fatin e tyre në 30 vjet nuk e lidhën me fatin e vendit dhe shqiptarëve, por me mandatin dhe xhepin.
Vetting-u në politikën shqiptare, duket se ka marrë “ok” edhe nga Komisioni Venecias, gjë e cila e bën më të lehtë miratimin e tij në Parlament. Ndoshta do të duhet vullneti dhe angazhimi pozitiv jo vetëm nga mazhoranca, e cila ka qenë dakort qysh në 2018, por pikësëpari nga propozuesit e sotëm të opozitës, për ti treguar shqiptarëve se “e kanë seriozisht luftën ndaj korrupsionit edhe në politikë”…