Moti i keq ka përfshirë Greqinë me reshje të dendura shiu që shkaktuan përmbytje në shumë zona. Një autobus me pasagjerë mbeti i bllokuar dhe filloi të zhytej në ujë ditën e djeshme, ndërsa pamjet e njerëzve teksa ndihmonin njëri-tjetrin për të dalë nga ujë, janë shpërndarë kudo.

Autobusi u zhyt në ujë në Poseidonos në Paleo Faliro, nën urën në Qendrën Kulturore të Fondacionit Stavros Niarchos, ndërsa udhëtarët në bord formojnë një rresht, ku të kapur për dore, dalin në anë të rrugës, ndërsa uji u arrin deri në gju.

Situata është mjaft kritike edhe në Atika, ku janë përmbytur disa shtëpi, ndërsa shkollat janë mbyllur. Zjarrfikësit janë në terren duke ndihmuar në evakuimin e qytetarëve, ndërsa i kanë bërë atyre thirrje për kujdes.

“Ne kërkojmë qytetarëve që të jenë shumë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve”, bën thirrje Departamenti i Zjarrfikësve.

Në Kifissos dhe Paraliaki është vendosur ndalimi i qarkullimit për të gjitha automjetet, ndërsa në disa zona si Elefsina, në qendër të Athinës, Kallithea, Koropi dhe zona e Renti pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.