Në një takim me institucionet përgjegjëse për infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e strukturave të ujitjes dhe kullimit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca kërkoi gadishmërinë totale për operativitetin e secilës strukturë në shërbim të banorëve, bizneseve, fermave dhe territorit në zonat rurale.
Krifca udhëzoi mobilizimin e strukturave për të parandaluar përmbytjet si dhe për të garantuar funksionimin total të kapaciteteve të gjithë organeve drejtuese.
Gjatë takimit, Krifca iu bëri gjithashtu thirrje bashkive për bashkëpunim si një instrument i rëndësishëm i menaxhimit të këtyre situatave.
Ministrja Krifca nënvizoi se që prej ditës së nesërme të gjithë strukturat do të jenë të angazhuara në terren për të siguruar mbarëvajtjen e situatës në të gjitha rastet që mund të paraqesin problematikë në zonat rurale.