Kreu i NASA-s la të kuptohet se disa UFO mund të jenë forma jete jashtëtokësore ose qenie nga një univers alternativ. Bill Nelson, i caktuar që prej muajit maj nga administrata Biden si administrator i Agjencisë Amerikane të Hapësirës, u shpreh se nuk është i sigurt se çfarë janë me saktësi disa prej fenomeneve të paidentifikuara ajrore që kanë parë pilotët e marinës. “Shpresoj fort që me atë lloj teknologjie, të mos jetë një kundërshtar këtu në Tokë”, citohet të ketë thënë ai, duke rikthyer sërish debatin e nxehtë të ekzistencës së alienëve. “Çfarë mendoni se po bëjmë ne në Mars? Po kërkojmë shenja jete. Është pjesë e misionit të NASA-s. A ka planetë të tjera ku ka jetë, këtë duam të shohim”, është shprehur ai.
Nelson shtoi se ka folur me pilotët e marinës që kanë parë diçka të çuditshme atje lart. “Ata nuk e dinë çfarë është, ne nuk e dimë çfarë është, por diçka ka dhe nuk e mohojmë. ka shumë pyetje të cilave jemi përpjekur t`i japim përgjigje. Çfarë apo kush është atje? Kush jemi dhe ne vetë. Si arritëm këtu, si u zhvilluam e si u qytetëruam. Dhe a janë të njëjtat kushte atje në një univers që ka kushedi sesa diej të tjerë, e kushedi sa galaktika- është aq i madh sa nuk mund ta imagjinoj“, vazhdon komenti i tij.