Qyteti i Nju-Jorkut do ta bëjë vaksinimin antiCOVID-19 të detyrueshëm për të gjithë zyrtarët e saj, duke shtuar policinë dhe zjarrfikësit në listën që tashmë përmban kujdestarët dhe mësuesit, tha kryebashkiaku Bill de Blasio në një deklaratë.

“Detyrimi hyn në fuqi më 1 nëntor për të gjitha forcat punëtore të qytetit, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe grumbulluesit e plehrave”, njoftoi bashkia e qytetit, duke specifikuar se do të fillojë menjëherë “negociatat e ndikimit me sindikatat në fjalë”.

Përjashtimi i vetëm janë gardianët e burgut, për të cilët detyrimi shtyhet për më 1 dhjetor.

Sipas shifrave të bashkisë, 71 për qind e 160 000 punonjësve të qytetit të prekur nga ky detyrim kanë marrë tashmë të paktën një dozë vaksine, që do të thotë se, aktualisht, rreth 46 000 janë të pavaksinuar.

Deri më tani, detyrimi i rreptë kishte të bënte vetëm me profesione të caktuara, të tilla si mësuesit dhe kujdestarët, për të cilët bashkia pretendon se nivelet e vaksinimit tashmë janë mbi 95 për qind.

I dëmtuar rëndë nga pandemia, që e gjunjëzoi kryeqytetin kulturor dhe ekonomik amerikan në vitin 2020, Nju-Jorku tashmë e kishte bërë vaksinën të detyrueshme për shumë aktivitete të brendshme, nga restorantet deri te teatrot dhe palestrat.

Më shumë se 34 000 persona kanë vdekur nga COVID-19 në qytetin e më shumë se 8 milionë banorëve.