Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, rrëfeu edhe njohjen me politikanin e njohur, Gramoz Ruçi. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Ruka u shpreh se ka bërë të njëjtën shkollë me Gramozin, kur ishin fëmijë, për të vijuar më pas secili rrugëtimin e tij, dhe për t’u ritakuar në Partinë Socialite.

Ai u shpreh se e ka telefonuar Ruçin, kur ka vendosur të shkruajë librin për fshatin e lindjes, Turanin, dhe ishte habitur se si ai i kishte thënë edhe numrin e kilometrave që kishte bërë gjatë viteve të shkollës në fshat.

“Jo vetëm me Gramozin, por me të gjithë djemtë e fshatit ne kemi bërë të njëjtën shkollë, në atë kohë 7-vjecare. Ne të gjithë ishim të detyruar të ecnim në këmbë për të shkuar në shkollë. Duhet ta bënim çdo ditë rrugën, edhe me shi e dëborë. Shpesh shkonim dhe të lagur, por nuk bënte vaki që ne të mungonim. Një ditë e mora në telefon Gramozin, i cili ka qenë pak më i vogël se unë, ka qenë në klasë më vëllain tim, dhe i thashë që po shkruaja një mbresë për shkollën, dhe në një çast ai më tha ‘unë kam llogaritur sa kilometra kam bërë në këmbë’, kjo më habiti. Ai kishte bërë 14 mijë kilometra në këmbë, dhe po ta llogarisësh, i bie që Gramozi të kishte mbërritur në Tokio. Kjo tregon se njerëzit e vullnetshëm, edhe pse mund të lindin në kushte të vështira, arrijnë të bëjnë diçka në jetë, nëse kanë forcën, vullnetin dhe pasionin për të ecur përpara. Ne jemi miq të vjetër, jemi nga e njëjta zonë, kemi të njëjtën tipologji shpirtërore, jemi nga e njëjta krahinë. Gramozi ka bërë karrierën e tij, unë timen akademike. Jemi ribashkuar në PS. E rëndësishme është që edhe unë, edhe ai, e mbyllëm karrierën në PS. E rëndësishme është që ta mbyllësh karrierën në politik mirë”, tha Ruka.