Nis zyrtarisht Maratona e Tiranës pas një viti pushim për shkak të pandemisë së Covid 19, me të cilën u përball e gjithë bota. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij hapëse falenderoi të gjithë pjesëmarrësit nga Shqipëria dhe e gjithë bota, ndërsa theksoi se Tirana tani është zyrtarisht e hapur . “Faleminderit që keni mbushur Tiranën plot me gëzim, falënderoj sidomos ata 1000 vetë që kanë ardhur nga 35 shtete të ndryshme, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut , Presheva. Ne jemi zyrtarisht të hapur dhe rikthimi i maratonës pas viteve mungesë është ndoshta shenja më e bukur e një Tirane që do i rikthehet normalitetit e jetës aktive. Një mirëseardhje të zjarrtë për të gjithë ata që na vizitojnë për herë të parë. Shpresoj të rrini sa më gjatë dhe të vini sa më shpesh”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se sot vrapohet edhe për kauza të rëndësishme si ajo e “Run with refugees”, për të treguar që jemi një vend i hapur, jemi një qytet i hapur. “Më vjen shumë mirë që qyteti ynë me 144 nacionalitete të ndryshme është një derë të hapur për të gjithë ata që kanë nevojë. E di që vrapojnë për shumë kauza të tjera. Janë ata që vrapojnë për arsye mjedisore, ata që vrapojnë për sëmundje të ndryshme ose për të adresuar çështje shumë të rëndësishme sociale. Keni gjithë respektin tonë dhe mezi pres që përtej sensibilizimit të Maratonës ne të jemi aleat në gjithë këto kauza të përbashkëta. Shumë faleminderit, fitoftë më i miri por mbi të gjitha të kënaqemi të gjithë”, u shpreh ai. Në fund Veliaj falenderoi të gjithë qytetarët e Tiranës që respektuan zhvillimin e këtij aktiviteti duke lënë makinat në shtëpi.