Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi nga Fieri se nis sot një fazë e re e vaksinimit antikovid, duke ftuar drejtuesit e bashkive dhe njësive administrative në të gjithë vendin, të bëhen pjesë e aksionit të vaksinimit në çdo komunitet.
Në një takim me drejtues vendorë në bashkinë Fier, Manastirliu kërkoi angazhimin e tyre për të ftuar qytetarët për t’u vaksinuar, në atë që ministrja e ka quajtur “aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës”.
“Duke filluar nga Fieri sot, e duke mos ndalur çdo ditë, me ekipin e shëndetësisë do të jemi në krye të këtij aksioni, por në krahun tonë do të jenë të gjithë kryetarët e bashkive, me të gjithë drejtuesit e njësive administrative, me të gjithë kryepleqtë, me të gjithë strukturat e angazhuara të shërbimeve sociale në bashki, me të gjithë shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat po njësoj duhet të jenë të përfshira në këtë aksion kombëtar për vaksinimin, një aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës”, tha Manastirliu.
Duke kërkuar kontributin e të gjitha bashkive, Manastirliu tha se jemi të përgatitur për të rritur numrin e vaksinatorëve për të qenë me një frekuencë akoma më të lartë në terren.
Ministrja e Shëndetësisë tha se do të punohet që çdo qytetar të vaksinohet duke u shkruar në banesë, ndërkohë që bëri me dije se nga e hëna do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.
“Për studentët, gjithë java që vjen do të jetë një javë aksioni për vaksinimin e tyre, për vaksinimin e të rinjve”, tha Manastirliu.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi shprehu angazhimin për të kontribuar në këtë aksion kombëtar.
“Këtë fazë të re të vaksinimit do e fillojmë sot nga Fieri. Pa dyshim ky është një vlerësim për të gjithë ne, por nga ana tjetër është edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Duke filluar nga sot e në vijim kjo duhet të jetë për të gjithë ne një sfidë shumë e madhe, në shërbim të kësaj çështje shumë të madhe”, tha Subashi.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,783,984 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 825,110 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antikovid. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antikovid.