Në “Foltoren” e Sali Berishës në Gjirokastër numri i simpatizantëve nuk ishte i njëjtë me atë të takimeve të kaluara, por batutat nuk munguan nga demokratët në sallë:
“Kam bërë 70 km që të vij këtu” i tha një qytetar Berishës duke i kërkuar që të marrë në dorë “frenat” e PD-së për ta sjellë në pushtet.
Një tjetër i kujtoi mitingjet përpara viteve 2000:
“Zoti Berisha të përshëndes. Kujtoj vitit kur ne e prisnim dhe ai ndalonte makinën sapo na shikonte dhe thoshte mbaje makinën se kanë dalë tigrat e Tepelenës dhe Jugut. Mirëseerdhe o Sali Ramë Berisha, o “Bud Spencer” i Shqipërisë, o trim. Ne duam të na thuash shumë shpejt do të fitojmë”.
Berisha iu kërkoi falje për mbështetjen për Lulzim Bashën të cilin e cilësoi besëprerë dhe ju premtoi ndryshimin, pasi sipas tij lideri aktual demokrat e ka centralizuar partinë si Stalini.
“Ne do të bëjmë gjithçka që kryetari që humbet zgjedhjet të mos jetë më kryetar. Do vendosim edhe një rregull të ri. Edhe kryeministri për t’u bërë kryeministër do të votohet në primare njëherë. A e dini ju që kjo parti, kryeministrin e parë e ka përzgjedhur në votim me dy kandidatura. Tani do ta bëjmë më demokratike partinë.
Ju kërkoj falje dhe ndjesë për mbështetjen që i kam dhënë një njeriu i cili e mbylli karrierën e tij politike si një besëprerë. Unë kërkoj ndjesë se ndonëse se privatisht i kam thënë cdo gjë që ti ke menduar me veten tënde, shumë gjëra janë të dokumentuara, por publikisht e kam mbrojtur atë” tha Berisha