Nga Artur Ajazi/Kjo opozitë, do të kujtohet gjatë, si i vetmi formacion politik që nuk ka bërë misionin e saj, por është marrë vetëm me padi penale. Një e tillë, së fundi është dorëzuar në SPAK nga dy eksponentë të Partisë Demokratike, ndaj OSHEE dhe drejtorit të saj Ardian Çela, nën akuzën “korrupsioni me energjinë elektrike”. Vetëm në 3 vitet e fundit, nga viti 2018-2021, nga opozita, u hartuan dhe dorëzuan mbi 118 padi penale, me subjekte të ndryshe, duke nisur nga ajo për “vjedhje votash, manipulim me zgjedhjet, rrëzim dekreti i presidentit”, etj, dhe duke vazhduar me padi për “shpifje dhe mashtrime” për emra të spikatur të mazhorancës.
Të gjitha këto, dihet se si kanë përfunduar, me vendime që kanë rrëzuar pretendimet e opozitaristëve. Sikur gjithë kohën që ka marrë opozita për hartimin e padive, t’ja kishte kushtuar hartimit të ndonjë programi apo platforme bindëse për shqiptarët, ndoshta do të kishte fituar ca vota më shumë. Por ajo ka zgjedhur rrugën e padive. Pas çdo deklarate apo kundërpërgjigje nga ministrat, kryeministri, madje dhe nga kryetari bashkisë Tiranës Erion Veliaj, shpura e Partisë Demokratike ka zgjedhur “padi në SPAK”.
Në fakt as Lulzim Basha dhe as korrierët e tij, nuk e dinë se, SPAK-u nuk mund të merret me çdo hamendësim, trillim, ëndërr apo insinuatë, që mundohen ta ngrenë si “akuzë apo denoncim” kryetari demokratëve apo vartësit e tij opozitarë. Padia më e fundit, ishte për “korrupsion me energjinë”. Sikur të mos kishin jetuar asnjë ditë në Shqipëri, vërtetë do ta kishim besuar se “në kohën e Partisë Demokratike kishte energji me bollëk, nuk ikte energjia kurrë, hidrocentralet rrinin plot, dhe se faturimi ishte 100 per qind”. Por ne e dimë si ishte situat asokohe, kur në një pallat, 5 paguanin, dhe 25 të tjerë, kishin vite që nuk paguanin, po ashtu edhe me ujin e pijshëm.Ne e dimë se si veprohej me debitorët, se si ndaheshin në “demokratë dhe socialistë”, e dimë se si veprohej me bizneset, ku kishte firma dhe kompani (miq të pushtetit) që paguanin 10 deri 12 mijë lekë në muaj, dhe një familjar i rregullt paguante 30 apo 35 mijë lekë duke mos pagur mundësi ankimimi. Por opozita, e ka harruar dramën e saj, dhe sheh me lupë “qimen në traun e tjetrit”.
Të gjithë e dimë, se si drejtorët e OSHEE nga qendra në rrethe, instalonin 2 deri 3 linja furnizimi me energji elektrike, në banesat e deputetëve të Partisë Demokratike apo ministrave të Sali Berishës, dhe faturimi ishte qesharak. Pra, duke mos patur besueshmërinë e duhur, duke mos patur forcën e duhur argumentuese për paditë e saj, kjo opozitë ka zgjedhur të vazhdojë misionin me “akuza dhe denoncime”. E gjithë kjo sipas edhe kryetarit Basha, quhet “opozitë e fortë, që do të shkundë qeverinë nga themelet”. Në fakt kjo është vija e Sali Berishës.Të gjithë në atë parti, bëjnë si Berisha, shprehen si Berisha, akuzojnë si Berisha, hartojnë padi si Berisha, dhe nuk mund ti ndash edhe nga humbja, si Berisha. Edhe pse një pjesë e asaj partie, ka dalë kundër ish-kryetarit partisë, duket se asgjë nuk ka ndryshuar në format dhe metodat e të bërit opozitë.
Tek dëgjon Lulzimin, apo ciceronët e tij, Gridën, Enkeledin, Joridën apo dhe Ervinin, të tundin letrat e bakallit në Parlament, dhe të akuzojnë për “korrupsion”, më dalin para sysh, vilat, pallatet, makinat e shtrenjta, ku shumica e tyre erdhën në atë parti si “jabanxhinj”, dhe sot kapardisen majë miliona eurove.Opozitë me padi penale, është gjetja më perfekte e kryetarit Basha. Të paktën, në fund të mandatit të tretë si opozitë,do të ketë mundësi të lexojë paditë e dorëzuara në SPAK, duke mos u lodhur shumë të hartojë programe të reja “qeverisëse”…….