Nga Ylii Pata/ Mjafton të dëgjohen apo lexohen deklaratat e Sali Berishës pas shpalljes Non Grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në maj, për të parë e kuptuar realisht konfliktin e tij të sotëm me Bashën.
Si në intervistat që zhvilloi breshëri, por edhe në konferencën e shtypit që mbajti të Rogneri, Sali Berisha kërkoi hapur që Partia Demokratike duhet ta mbronte atë.
Në atë kohë u bënë shumë shkrime, komente, reagime që ishin të nxehta e të shpejta, pa reflektimin e kohës që ne e kemi sot një luks.
Dikush foli për provat, për thelbin e vendimit të DASH, dikush për pasojat, dikush për atë që do të sjellë etj e tj, e pak kush u mor, me atë q ëish-Presidenti e ish-Kryeministri i kërkoi Lulzim Bashës.
Vendimi i majit solli siç dihet edhe periudhën paszgjedhore edhe kohën e para pushimeve, kur dhe ndodhi nëj deklaratë e fortë e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, e cila i foli Lulzim Bashës për punën që ai duhet të bëjë për pastrimin e listave. Askujt s’i shkoi mendja për Berishën, përveçse kur në Tiranë mbërritu zyrtari i lartë i DASH Philipe Reeker, i cili foli hollësisht me element e grupe të interesit të opozitës për të sqaruar vendimin për Sali Berishës.
Ata u takuan madje edhe me nipin e Ahmet Zogut, si një symbol politik i së djathtës së vjetër, por edhe me rivalen e Lulzim Bashës për kryetare Bashkie Edith Harxhi. Një emër që sot është thuajse e larguar nga të gjitha hapësirat mediatike pranë opozitës.
Më pas erdhi paralajmërimi i ashpër për “barin” që më pas solli atë që solli. Largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar nga Lulzim Basha, i cili e quajti “vendimin e jetës”.
Pse ky vendim është goditje politike për Sali Berishën? Sepse ai sot nuk është larguar nga strukturat e PD-së, ku është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar, ex- ufiçio. Por atij nuk i duhet fare këshilli kombëtar, por i duhet grupi parlamentar dhe strukturat e PD-së në Kuvend.
Nëse nesër do të vijë nga SPAK një kërkesë për të hetuar Sali Berishën, duke mos qenë anëtar i grupit parlamentar të PD-së, do të jetë më e lehtë një lëvizje politike e Lulzim Bashës por edhe deputetëve të tjerë të PD-së që me fjalë do të ulërasin në mbrojtje të doktorit, por që nuk mund të bllokojnë dot as Konferencën e kryetarëve, e as komisionet.
Pikërisht këtë ka dashur Sali Berisha, pas vendimit të SHBA që e tha hapur, që PD ta mbrojë jo me fjalë, port ë bëhet digë që në çdo rast doktori të ketë më shumë kohë e hapësirë për të përgatitur lëvizjet e tij. E Lulzim Basha nuk ja dha, madje e deklaroi hapur se “PD-ja nuk do të jetë asnjëherë bunker për interest personale të askujt”. E këtu duhet parë realisht përplasja dhe prishja e paktit mes Bashës dhe Berishës.
Sali Berisha, sado sot po nxit një lëvizje jo shumë të orientuar për ta rrëzuar Lulzim Bashën, ai nuk e ka atë pozitë që e kishte deri para vendimit të qeverisë amerikane për ta shpallur Non Grata.
Kjo është diferenca reale e fuqisë së tij politike, që e thënë në gjuhën popullore: e “kanë thyer ne mes”…