Pasi Shoqata Transportit ka përgjysmuar flotën e autobusëve, përfaqësues të saj po zhvillojnë një takim me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ku po diskutohet mbi situatën në këtë sektor.
“Takim me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Ndërqytetas, për të diskutuar e gjetur zgjidhje sa i takon problematikave dhe kërkesave të tyre, duke pasur gjithmonë në fokus rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve”, shkruan Balluku.
Prej ditësh linjat urbane në Tiranë, po funksionojnë me gjysmë kapaciteti. Që pas daljes nga karantina në vitin e kaluar shoqatat e transportit gjatë protestave të zhvilluara kërkuan heqje akcize, ulje TVSH-je dhe rimbursim për personat që përfitojnë transportin falas. Teksa ka kaluar më shume se 1 vit pa u plotësuar, shoqëritë i kanë shtuar kërkesat e tyre.
Kërkesat e tyre minimalisht i kushtojnë buxhetit të shtetit 4.1 milionë euro. Konkretisht vetëm plotësimi i kërkesës për uljen e TVSH-së nga 20% që është aktualisht në 6%, në një vit i kushton buxhetit 1.8 milionë euro.
Kërkesa e dytë për heqjen e akcizës që është 37 lekë për litër kushton në një vit 2.3 milionë euro. Në rast se shteti e ka të pamundur të heq akcizën kompanitë kërkojnë heqje të taksës së qarkullimit që është 24 lekë për litër, dhe heqja e saj i kushton arkës së shtetit rreth 2 milionë euro në vit.
Këto janë lehtësira që i takojnë vetëm kostos së karburantit, që përbën mesatarisht 48% të kostos totale të transportit publik. Kërkesa tjetër e bërë që në 2020 është rimbursimi për 21 mijë qytetar që në bazë të ligjit përfitojnë shërbimin e transportit publik falas për shkak se janë invalidë, të verbër apo me librezë shëndetësore. Kostoja e rimbursimit përllogaritet në rreth 18 milionë lekë sipas shoqatës kombëtare të transportit qytetas.