Nga Mero Baze/ Deri më sot shumica e demokratëve që shikoj në takimet e Berishës, përveç atyre që kanë probleme mendore, kanë si arsyetim që duhet përdorur Sali Berisha që të heqim Lulzim Bashën. E kanë këtë si arsyetim dembelësh, si qejfmbetje me Bashën, si njerëz të pakënaqur nga pozita që kanë në PD etj.

Sot Sali Berisha shpalli ambicien e tij për të udhëhequr opozitën, praktikisht për të marrë kreun e saj. Ai tha se ‘që ditën që SHBA më futi në listë të zezë mendova rikthimin’.

Nga pikëpamja formale, ky është një zhvillim pozitiv, pasi problemi real i kësaj opozite është që Berisha e jep me qira PD, dhe pastaj ankohet për qiraxhiun që nuk i ka dhënë aq lekë sa priste.

Tani problem është me ata që mendonin se po përdorin Berishën kundër Bashës. Ata tani janë pjesa më e përdorur e PD nga Berisha, jo për të hequr Bashën, por për të bërë Berishën kryetar.

Nuk jam i sigurtë nëse Berisha do të bëhet kryetar i PD, apo një partie të re, por e rëndësishme është që ai do të bëhet kryetar i një partie anti-amerikane, e cila do të jetë e dënuar që të mos ngrejë kurrë kokë.

Partia e Berishës, cilado qoftë sigla e saj, përfshi dhe siglën e vjetër të PD, është një furrë druri që djeg secilin që hyn brenda. SHBA e ka shënjestrën tek Sali Berisha dhe kjo nuk ndryshon. Kudo që të shkojë, do ndëshkohet.

Çdo figurë publike që aspiron karrierë politike në Shqipëri, që shfaqet në krah të Berishës, tanimë që ai ka dhe ambicien të bëhet kryetar, është një figurë e djegur politike.

Sali Berisha prej sot nuk e ka më betejën “për demokratizimin e PD”, por betejën e tij reale, për të kapur peng një parti, që të luftojë me SHBA.

Të gjithë ata që mendonin se po përdornin Berishën, tani duhet ta dinë se Berisha jo vetëm i përdori, por dhe po i keqpërdor për t’u mbyllur të ardhmen politike.

Dhe kjo duket edhe nga konfuzioni për betejën ligjore që kërkon të bëjë me Bashën. Në fillim foli për referendum për ta hequr Bashën. Pastaj foli për mbledhje Kuvendi Kombëtar. Tani flet për ndryshim statuti që të lejohet referendum.

Në fakt dita- ditës më ngjan me një kryetar partie në vitet ‘90, që kishte punuar në “Kinostudio” por i duheshin firma për një parti. Shkoi tek dera e “Kinostudios” dhe u thoshte të gjithëve “Firmosni se do të rrisim rrogat”. Dhe pasi firmosën, përfunduan të gjithë themelues të partisë së tij, por pa punë dhe pa rroga, se ai iku.

Dhe Berisha kështu po i gënjen ata që mendojnë se po përdorin Berishën për të hequr Lulin. Po i fut ne një listë kamikazësh që të vdesin për hallin e tij.