Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se ka përfunduar plotësisht Loti 5 i rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas ARRSH-së, gjatësia e këtij Loti është 3.385 km. Rruga është e ndarë në dy korsi me nga 3.5 m secila.

Pjesë e këtij Loti, bën të ditur ARRSH ishin edhe disa vepra arti, tombino rrethore, tombino box, mure mbajtëse e pritëse, një urë apo nënkalim.

“Po punohet intensivisht edhe në Lotet e tjera të këtij projekti për ta vënë së shpejti në funksion të të gjithë përdoruesve duke rritur turizmin e zonës përreth”, bën të ditur ARRSH.

Në fund të muajit gusht u bë e mundur edhe hapja e tunelit të Skërficës, 1316 m i gjatë, pjesë e aksit të ri rrugor Kardhiq-Delvinë.

Me një gjatësi prej 33 km, rruga Kardhiq-Delvinë përbëhet nga 8 lote. Në Lotet 1, 2, 3 dhe 5 kanë përfunduar, ndërsa në Lotet 4 dhe 6 po vijojnë punimet.

Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit.