Me një vendim që shkaktoi tronditjen e Bashkimit Evropian, Gjykata Kushtetuese e Polonisë sanksionoi se ligjet e vendit kishin epërsi të atyre të unionit. Kjo do të thotë se disa pjesë të traktateve dhe vendimeve të gjykatave të BE-së nuk do të merren parasysh nga gjykatat e Polonisë.
Gjyqtarët polakë vendosën që anëtarësimi i vendit në BE nuk u jep gjykatave europiane një autoritet më të lartë ligjor dhe se Polonia kishte zhvendosur sovranitetin e saj nën BE-në.
Vendimi që mesa duket ka edhe mbështetjen e kryeministrit të vendit Mateusz Moraviecki, shpesh herë është kritikuar nga Brukseli për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë.
Ka reaguar menjëherë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, që tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” dhe ka udhëzuar qeverinë europiane të analizojë menjëherë dhe në tërësi situatën për të vendosur se çfarë hapash duhet të ndërmerren.
“Prioriteti ynë kryesor është të sigurojmë që të drejtat e qytetarëve polakë të mbrohen dhe që qytetarët polakë të gëzojnë përfitimet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ashtu si të gjithë qytetarët e unionit tonë,” tha von der Leyen në një deklaratë të shkurtër.
Partitë kryesore në Parlamentin Evropian e dënuan vendimin e gjykatës polake dhe i kërkuan Komisionit të ngrijë pagesat për vendin, i cili është përfituesi më i madh i fondeve të BE. Reagime të shumta ka pasur edhe në vend ku opozita ka paralajmëruar dalje në protesta.