Për Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, progresi që ka bërë Shqipëria është i pamohueshëm dhe sipas saj kjo u konfirmua edhe në progres-raportin e KE. Për këtë arsye, Xhaçka theksoi në një deklaratë për mediat se vendi ynë meriton të ulet në tryezën e bisedimeve me BE brenda këtij viti. Sipas Xhaçkës, BE duhet të mbajë premtimin për hapjen e negociatave dhe se çdo vonesë, do të ketë ndikim negativ në besueshmërinë e Unionit.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret konkluzionet e raportit për vendin tonë. Raporti ka vlerësime pozitive për reformat, rezultate të prekshme. Reflektohet progresi në plotësimin e të gjitha kushteve për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ka një rritje të vlerësimit për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë progres në adresimin e prioriteteve të nënvizuara nga Këshilli. Po ashtu konfirmohen rezultatet e kënaqshme të reformës në drejtësi dhe vetingut. Po ashtu vlerësohet përparimi, provë e vullnetit të qeverisë në luftën ndaj korrupsionit e krimit. Këto arritje janë provë e vullnetit të qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Raporti shpreh vlerësim për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të 25 prillit. Reforma elektorale është parakusht i plotësuar për fillimin e negociatave. Ekonomia ka filluar ringritjen që në gjysmën e dytë të vitit 2020. Veprimet e ndërmarra në sektorin shëndetësor ishin të shpejta dhe të përshtatshme. Pikat ku progresi nuk ka qenë i kënaqshëm do të trajtohen me seriozitetin maksimal. Raporti është i qartë, Shqipëria gati për fillimin e procesit të bisedimeve. Konferencat e para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe MV duhet të zhvillohen sa më shpejt. BE të mbajë premtimin e bërë ndaj nesh Çdo vonesë ka ndikim negativ në besueshmërinë e Unionit. Progresi i Shqipërisë është i pamohueshëm. Shqipëria meriton të ulet në tryezën e bisedimeve me BE brenda këtij viti”, tha Xhaçka.