Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit ndaluan reklamimin e ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore të arsimit bazë.

Në kuadër të luftës kundër kequshqyerjes, rregullorja synon të realizojë mbrojtjen e shëndetit e të mirëqenies së fëmijës nga informacione e materiale që i dëmtojnë ato.

Rregullat e përcaktuara kanë për qëllim të plotësojnë kuadrin ligjor në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës përsa i përket mbrojtjes së shëndetit, luftës kundër kequshqyerjes dhe realizimit të mbrojtjes së shëndetit e mirëqenies nga informacione e materiale që i dëmtojnë apo i vendosin në rrezik ata.

Kjo rregullore synon të plotësojë dhe rregullimet e legjislacionit për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar, si edhe legjislacionin për mediet audiovizuale, në lidhje me komunikimet e papërshtatshme me natyrë tregtare që shoqërojnë ose përfshihen në programet për të mitur, të ushqimeve e pijeve që përmbajnë substanca të dëmshme ose të padobishme për shëndetin fizik të fëmijëve, veçanërisht ato me përmbajtje të lartë yndyre, acidi yndyror, kripe, sode e sheqeri,që janë tej normave të lejuara për një dietë ushqimore të shëndetshme për fëmijët.

Institucioni arsimor ka për detyrë të sigurojë që nxënësit që ndjekin arsimin bazë nuk janë të ekspozuar ndaj asnjë reklame ushqimesh të pashëndetshme përgjatë kohës së frekuentimit të institucionit arsimor.

Lista e ushqimeve të pashëndetshme:

1. Ëmbëlsira: -çokollatë dhe produkte çokollate (çokollatë e thjeshtë ose e bardhë, vezë të mbushura meçokollatë, çokokrem); -produkte të veshura me çokollatë (p.sh.:biskota pjesërisht ose plotësisht të veshura, fruta ose arra të veshura me çokollatë, akullore dhe drithëra të veshura me çokollatë); -ëmbëlsirë, përfshirë ëmbëlsirat “pa sheqer” (p.sh.: çamçakëz, xhelatina, likuiricia,karameletë çdo lloji përfshirë: mente, lëpirëse sheqeri, ëmbëlsira me sherbet, marshmallows, dhe ëmbëlsira të tjera); -çokollatë, kos ose fruta të thata dhe arra të veshura me sheqer;- bareta drithërash, ëmbëlsira me fruta të përpunuara.

2. Ushqime të skuqura, përfshirë produktet e skuqura thellë në procesin e prodhimit. Kjo përfshin për shembull: patatina, salsiçe të skuqura, kofshë pule të skuqura, petulla etj.

3. Ushqime të aromatizuara me përmbajtje yndyre, yndyre të ngopur, natriumi dhe sheqeri

4. Pije freskuese me ose pa gaz, duke përfshirë ujëra me aromë;- pijet e cilësuar si “pa sheqer” përfshirë ujërat me aromë; -pije të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar;-lëngjet e frutave të ëmbëltuara me sheqer të shtuar; -lëngjet e perimeve me sheqer ose kripë të shtuar; -lëngje te ëmbla të koncentruara, të bëra ose të aromatizuara me lëngje frutash, të cilat hollohen për të bërë një pije; -qumësht i plotë; -pijet energjike.

Po ashtu, dy ministritë nxorrën një urdhër të përbashkët për miratimin e rregullores për standardet e ushqimit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.