Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar vendimi “Për Treguesit Statistikorë të Vlerësimit e Monitorimit të Programeve të Ndihmës Ekonomike, të Pagesës për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe Shërbimeve Shoqërore, si edhe periodicitetin e mbledhjes së tyre”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke njoftuar këtë vendim tha se qeveria është e vendosur për të mbrojtur kategoritë të cilat janë të riskuara.

“Sot qeveria shqiptare ka miratuar një tjetër akt të rëndësishëm, Vendim të Këshillit të Ministrave që lidhet me krijimin e një mekanizimi i cili do të përmirësojë të gjithë raportimin dhe peridiocitetin e të dhënave që vijnë nga programet e mbrojtjes sociale, nga programi i ndihmës ekonomike, nga programi i mbështetjes së personave me aftësi ndryshe dhe gjithashtu nga programi i shërbimeve sociale në territor. Jemi të vendosur për të vijuar për të mbrojtur kategoritë të cilat janë të riskuara nga vështirësitë ekonomike dhe sociale”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu tha se në kuadër të projektbuxhetit 2020 është duke u përgatitur një plan gjithpërfshirës për të garantuar akoma më shumë forcimin e instrumentit dhe politikave sociale për grupet në nevojë duke rritur mburojën sociale për këto grupe. Manastirliu shtoi gjithashtu se krahas forcimit të skemave të mbrojtjes sociale, fokusi do të jetë edhe garantimi i transparencës në çdo hallkë të përfitimit të këtyre skemave.

“Ne do të vijojmë të fokusojmë të gjithë vëmendjen tonë jo vetëm në forcimin e skemave të mbrojtjes sociale por gjithashtu të garantojmë transparencë në çdo hallkë të përfitimit të këtyre skemave qoftë përsa i përket aplikimit ku tashmë programet e dixhitalizuara elektronike që ne kemi përfshirë, garantojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha instancat e përfitimeve të këtyre pagesave në cash, por gjithashtu edhe duke garantuar që këto programe të komunikojnë me njëri tjetrin në mënyrë që të kemi sa më shumë mburojë sociale, pra për të gjitha kategoritë, për të gjitha familjet” tha Manastirliu.

Ky projekt akt ka për qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të objektivave, të masave e veprimeve, në zbatim të legjislacionit, strategjive dhe programeve të ndihmës ekonomike, pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbimeve të përkujdesit shoqëror, vlerësimin e efektivitetit të përdorimit të fondeve, vlerësimin e ndikimit të politikave dhe hartimin e politikave dhe programeve për mbështetjen e grupeve në nevojë.