Të gjithë indikatorët dhe shifrat në vendin tonë nuk janë alarmante sa i takon gjendjes së koronavirusit, por ka rritje të infektimeve dhe shtrimeve në spital. Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj njoftoi në Ditari në A2 CNN se vetëm në 24 orët e fundit nga 64 vizita në banesa, 28 prej tyre janë shtruar në spital, por theksoi ai qytetarët ende rezistojnë të shtrohen.
“Indikatorët dhe shifrat nuk janë alarmantë. Të jemi koshiencë të gjendjes ka rritje prej ditësh të të infektuarve, vazhdojnë që thërrasin nga shtëpia, ka qytetarë që rezistojnë shtrimin në spital. Në 24 orë e fundit nga 64 vizita në banese 28 janë dërguar në spital. Vazhdojnë shtrimet dhe janë forma të rënda. 2-3 fishi i tyre është forma e mesme apo e lehtë. Format e lehta janë në një numër të madh. Fakt është që përqindja e infeksionit është rritur disi”. Shqetësuese për Bratajn, është situata e infektimeve në rajonin e Ballkanit dhe kryesisht Bullgaria, që ka ezauruar të gjitha terapitë intensive.
“Ajo që shqetëson është rajoni që ka rritje ku shifrat janë alarmante. Në Bullgari dhe Rumani, sot ka Kroacia dhe Sllovenia dhe Serbia që ka pasur ngadalësim të vaksinimit, dhe Mali i zi, Bosnja janë në rritje, por kritike gjendja paraqitet në Bullgari që ka ezauruar të gjitha burimet e terapisë intensive dhe po i dërgon drejt Hungarisë. Rumania ka numra në rritje. Europa e njëjta gjë, Gjermania, Austria, Anglia dhe secili vend po paraqet planet e dimrit për përballimin e pandemisë”. Por indikatori më i mirë i mbrojtjes në të gjithë botën, është vaksinimi, ku Brataj thekson se të gjitha vendet që kanë përqindje të ulët vaksinimi kanë vdekje më shumë.
“Kosova është indikator më së miri. Kulmi sot është Rusia me 1072 të vdekur dhe me përqindje të ulët vaksinimi as 30%. Të gjitha vendet që kanë përqindje të ulët vaksinimi kanë vdekje më shumë. Nëse do të mbrohesh, do të vaksinohesh. Është treguar më së miri mbrojtja përmes vaksinës. Të vaksinohesh nuk do të thotë të jo të mos infektohesh por të mos rrezikosh jetën”. Ai apelon për t’ u vaksinuar dhe hedh poshtë zërat që vaksina ndikon në fertilitet apo ADN.
“Dëmtimi në fertilitet dhe ADN nuk është i vërtetë. Efektet anësore dihen, temperatura, dhimbja e kokës që janë reaksion zinxhir që ndodh në organizëm. Por përbërësit e vaksinave janë ndryshuar herë pas herë që të jenë në minimum sa të jetë e mundur”. Sa i takon mbylljes së kufijve nga Italia, Brataj thotë që çdo shtet merr masa për të mbrojtur qytetarët, por nuk është Shqipëria që është shtet i bllokuar.
“Italia i mbylli kufijtë se ka rritje të të infektuarve, duke parë numrin e rritjes së të infektuarve merr masa. Nuk është Shqipëria që është shtet i bllokuar”. I pyetur nëse do të kemi rritje për shkak të grumbullimeve në derbin Partizani-Tirana, Brataj shprehet se çdo grumbullim përbën rrezik, por specialistët vetëm këshillojnë, kurse masat duhet t’i marrin institucionet.
“Çdo grumbullim ka rrezikun e përhapjes së infeksionit, specialistët nuk ndalojnë por këshillojnë. Janë masat në fuqi që u takon institucioneve përkatëse t’ i marrin. Rreziku që nga 17 tetor kur ishin 200 të infektuar filloi rritja me mbi 600 të infektuar sot, për shkak të ndeshjes, tubimeve, politike, shkollave dhe pas 2-3 javësh do ketë rezultate të rritura. Numri më i lartë është në Tiranë kur jemi edhe më të imunizuar”.