Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, foli në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për situatën me koronavirusin në vend dhe procesin e vaksinimit. Rakacolli u shpreh se virusi prek më shumë dhe më rëndë burrat, pasi gratë kanë disa faktorë rezistence, që i mbrojnë ato karshi sëmundjeve. “Ka faktorë biologjikë, që tregojnë se gratë kanë faktorë rezistence, faktorë hormonalë, që i mbrojnë më shumë karshi sëmundjeve. Ka ide se cilat mund të jetë këto faktorë, që krijojnë rezistencë, por këtë le të ja lëmë të ardhmes. Sa i përket vaksinimit, nuk kemi ritme të kënaqshme, sepse kemi shumë më tepër vaksina në vend. Vaksina ofrohet në çdo qendër shëndetësore, por kemi në dispozicion edhe njësi të lëvizshme për vaksinimin shtëpi më shtëpi. Tani e kemi filluar dhe vaksinimin në shtëpi. Por, ka një lloj hezitimi për bërjen e vaksinimit, për shkak të një keqinformimi, që ka zënë vend te njerëzit fatkeqësisht”, tha zv.ministrja e Shëndetësisë, ndërsa shtoi se “Niveli i antitrupave nuk është treguesi i vetëm apo kryesori, që tregon se jemi të mbrojtur nga virusi. Edhe njerëz me antitrupa janë sëmurë. Imuniteti është shumë më i gjerë se kaq. Problemi për dozën e tretë është se kur duhet bërë pas dozës së dytë. Ka diskutim nëse duhet ta bëjnë dhe ata që e kanë kaluar virusin dhe kanë bërë edhe dy doza të vaksinës”.
Pyetje: Pse vendosen kushte për studentët? Rakacolli: Nuk është vetëm e drejta e arsimit e patjetërsueshme, edhe e drejta për mbrojtjen e shëndetit është e patjetërsueshme. Janë dy gjëra që nuk duhen ndarë dhe që fare mirë mund të ndërthuren. Ne nuk kemi vënë vaksinimin me kusht, por kemi vënë kusht mbrojtjen e shëndetit. Ne kemi thënë që të kesh garanci në ruajtjen e shëndetit publik ka dy opsione, ose të jesh i vaksinuar, ose të bësh provën që je i shëndetshëm. Universiteti ka kosto, edhe mësimi ka kosto. Prova nuk duhet bërë çdo ditë, por një herë në javë. Mësimi online nuk është as sugjerim, as e drejtë dhe as vendim që merret nga Komiteti i Ekspertëve. Komiteti merr vendimin për shëndetin, jep rekomandime si sigurohet shëndeti publik. Vaksina është falas. Fare mirë çdo student mund të ndajë dyshimet që ka për vaksinën, kanë shkuar dhe grupet e ekspertëve nëpër fakultete.
Pyetje: Sonte në stadiumin “Air Albania” do të shkojnë 22 mijë tifozë, “bombë bërthamore’, kush e dha lejen? Rakacolli: Unë nuk e kam dhënë këtë leje, pyesni ata që e kanë dhënë. Ne nuk kemi ndaluar studentët, ne thjesht kërkojmë që ata studentë të jenë të mbrojtur. Edhe për stadiumin, unë nuk kam informacion për leje, tani po e dëgjoj.
Pyetje: Tetori rozë, çfarë duhet bërë për ta kapur në kohë, a është parandalimi kura më e mirë? Rakacolli: Në çdo sëmundje parandalimi është më i mirë se kurimi. Në Shqipëri në vitin e fundit ka një rënie të lehtë të grave të diagnostikuara me kancer. Janë shtuar shumë edhe metodat e diagnostikimit dhe ky është një lajm i mirë. Por, kanceri i gjirit është një problem mbarëbotëror. Fatkeqësisht nuk dihet shkaku tamam, por njihen faktorë, ku hyn dhe gjenetika. Ato femra që e kanë te nëna ose te motra, është mirë që të ndiqen vazhdimisht. Natyrisht ka dhe faktorë, që kanë të bëjnë me jetën, si duhani, alkooli. Pastaj, është kapja sa më e hershme, ku ne flasim gjithmonë në atë që të gjitha gratë e vajzat të mësojnë të bëjnë kontrollin e vet gjirit me prekje, për të vënë re disa shenja, që janë shenja që ne i quajmë “flamuj të kuq” dhe të drejtohen menjëherë te mjeku. Sa më herët të bëhen kontrollet, aq më të mëdha janë shanset për ta kapur atë në kohë. Apeli im i fundit është sërish për vaksinimin, çdo dyshim që mund të ketë qytetarët, le ta ndajnë me mjekun e familjes. Dhe, meqë jemi në muajin e kancerit të gjirit, iu bëj thirrje grave e vajzave që t’i kushtojnë më shumë kujdes vetes dhe ta vënë në kalendarin e jetës së tyre vjetore bërjen e mamografisë.