Qendra e Rilindur Shëndetsore e Belshit përmbyll fazën e parë të Programit Kombëtar 300 Qendra Shëndetësore, falë të cilit sot numërohen plot 300 adresa të shërbimit parësor me standarde europiane.

Ndërkohë që faza e dytë e programit të rehabilitimit do t’i kthejë të gjitha qendrat e tjera shëndetësore në të njëjtat parametra si qendrat tanimë të rilindura, plotësisht funksionale.

Për të parë nga afër qendrën e re shëndetsore ishte sot Belsh Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shpjegoi se struktura e re do të ofrojë shërbimin e urgjencës 24 orë, jo vetëm banorëve të zonës, por gjithë bashkisë.
“Sapo kemi përfunduar rehabilitimin e Qendrës Shëndetsore Belsh, një qendër që i shërben 14 mijë banorëve te zonës, por në tërësi i shërben të gjithë bashkisë. Pra janë 40 mijë qytetarë që marrin shërbime për sa i përket shërbimit të urgjencës, pasi kjo qendër është 24 orë. Me rikthimin e shërbimit shëndetsor bazë dhe të gjithë shërbimeve të tjera, kjo është qëndër mëse e kompletuar. Standardet janë ato, të cilat kemi përdorur në programet e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetsore, pjesë e të cilës është dhe kjo qendër. Në qarkun e Elbasanit, falë këtij programi janë 32 qendra shëndetsore dhe ambulanca.” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Ndërkohë në qendrën e re, krahas vaksinimit antiCovid ka nisur edhe vaksinimi kundër gripit të stinës. “Ne u përgatitëm, jo vetëm për sa i përket vaksinave antiCovid, por dhe vaksinave të gripit ndërkohë që udhëzuesit e Institutit të Shëndetit Publik janë që ndërkohë që bëhet vaksina e gripit, bëhet edhe vaksina e COVID. Në të gjithë qendrat shëndetsore dhe ambulancat janë shpërndarë më shumë se 200 mijë vaksina të gripit.” – u shpreh ministrja Manastirliu, e cila shtoi ndër të tjera se “Kontrolli mjekësor bazë ka filluar nga muaji shtator dhe ka një interes të lartë të qytetarëve për të kryer kontrollin periodik.”

Tetori ishte gjithashtu muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, gjatë të cilit rreth 9 mijë gra janë ekzaminuar falas, falë rrjetit të mamografëve të siguruara në çdo rajon.