Kryeministri i vendit doli sot në një konferencë për mediat për të prezantuar planin e posaçëm për përballimin e situatës së krizës energjetike në vend. Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria importon 600 mijë ton naftë në vit për diesel e benzinë, të cilat janë më shtrenjtë këtu se në rajon pasi në çmimin e naftës është brenda edhe taksa e qarkullimit. Përmes shifrave e krahasimeve të çmimit në ditët e sotme dhe çmimit në vitin 2013 të dieselit dhe benzinës, Kryeministri tha se tregu është treg!
Rama: Unë s’jam këtu për të bërë sikur nuk dëgjoj, as kur më thoni që ne e prodhojmë vetë naftën që na duhet, prandaj duhet ta kishim më të lirën në botë, jo më të shtrenjtën në rajon; sepse ne fakt jo, ne nuk e prodhojmë dot në vend naftën që konsumojmë për automjetet tona, pasi nafta jonë është naftë e rëndë, e cila shitet jashtë për nënprodukte, kryesisht bitum, ndërkohë që Shqipëria importon 600 mijë ton naftë në vit për diesel e benzinë.
E meqë ra fjala, dieseli dhe benzina po, janë më shtrenjtë këtu se në rajon, sepse sa herë duhet ta përsërisim akoma, në çmimin e naftës që ju bleni në benzinatë, është brenda edhe taksa e qarkullimit, të cilën në rajon e paguajnë veçmas, siç është brenda edhe një taksë karboni, sepse po, mjedisin nuk e ndotin as pensionistët, as invalidët, as ata me ndihmë ekonomike e as fëmijët, po automjetet dhe për t’u kthyer tek mbështetja për ta, si dreqin mund t’i mbështesë qeveria ata nga arka e shtetit, nëse kush ka më shumë nuk paguan më shumë, kush ndot më shumë nuk paguan më shumë, kush do edhe më shumë nga kjo shtëpi e përbashkët, pretendon të japë më pak për buxhetin e saj.
Megjithatë, sot që flasim, meqë shumëkush ankohet se çmimi i naftës është rritur përtej çdo imagjinate, le të kthehemi përsëri tek faktet. Eshtë sot më e shtrenjtë apo sidoqoftë më e lirë se ç’ishte deri në vitin 2013 dieseli e benzina? Kjo tabelë nuk tregon se qeveria dje ishte e keqe dhe kjo sot është e mirë, se kjo të them të drejtën dihet, po në këtë rast kjo tregon se tregu është treg, çmimet në treg janë çmime në treg, e kush ankohet është në të drejtën e vet, por nëse nuk harron faktet e djeshme, nuk ka se si i gjykon drejt faktet e sotme. Gjithësesi, thënë të gjitha këto, as më shkon mendja t’ju them tani, që meqë 30 vjet më parë zgjodhëm ekonominë kapitaliste të tregut, në vend të ekonomisë komuniste të planit të shtetit, dilini zot vetë edhe çmimit të shumëfishtë energjisë.