Nga Hasan Bello/
Më 12 dhjetor 1944, gjatë ekzilit në Londër, Mbreti Zog do të organizoi një drekë ku një nga të ftuarit kryesorë ishte Sir A. Ryan. Ai ishte një nga nënpunësit e Foreign Office (FO-Ministria e Jashtme britanike), i cili ishte caktuar për të mbajtur kontakte me Oborrin Mbretëror. Kjo vinte për shkak të miqësisë që ai kishte me Mbretin, që nga koha kur shërbente në Tiranë në vitet 1936-1939 si konsull i përgjithshëm i Britanisë. Për këtë arsye, Sir A. Ryan, nga Foreing Office dhe qeveria britanike konsiderohej si një nga njohësit më të mirë të çështjes shqiptare.
Pas këtij takimi ai do të përpiloi një raport drejtuar kësaj ministrie. Nga ky raport del se Mbreti megjithëse kishte disa kohë i painformuar mbi zhvillimet në Shqipëri do t`i deklaroi diplomatit britanik, se Lëvizja Nacional-Çlirimtare kishte një kontroll të pjesshëm.
Sipas tij, Ballkani e kishte humbur rëndësinë e në sytë e anglo-amerikanëve dhe se Abas Kupi ishte nisur drejt Barit. Zogu theksoi gjithashtu se e njihte Enver Hoxhën, i cili kishte krijuar një qeveri në Berat me ministër të Jashtëm Dr.Omer Nishanin.
Ai njihte edhe Dali Ndreun, një nga drejtuesit e betejës për çlirimin e Tiranës. Ky i fundit dikur kishte qenë një oficer me gradë të ulët, që më pas kishte luftuar në brigadat internacionaliste në Spanjë. Gjatë takimit ai përmendi dhe disa pjestarë të lëvizjes komuniste.
Një nga këta ishte Sejfullah Malëshova, me të cilin, sipas tij, dikur kishin rënë dakord për të bashkëpunuar. Ky detaj është një indicie që duhet parë me shumë kujdes: kur dhe në çfarë rrethanash mund të ketë bashkëpunuar S.Malëshova me Mbretin Zog? A ka qenë kjo një marrëveshje politike? Apo një bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar, në funksion të zbulimit të grupeve komuniste?
Zogu do t`i deklaroi diplomatit britanik, se kishte dëgjuar që në Shqipëri do të shkonte një mision anglo-amerikan. Por nuk kishte më tepër informacion mbi këtë çështje. Nëpërmjet ministrit të Oborrit, Sotir Martinit, ai kishte kërkuar disa herë takim me ministrin e Jashtëm, për t`i shtruar zyrtarisht qeverisë britanike rikthimin e tij në Shqipëri. Por, për arsye që dihen, nuk kishte marë asnjë përgjigje.
Për tu vlerësuar është qartësia e Zogut, se politika e Bashkimit Sovjetik ishte për t`i lënë duar të lira Britanisë në Greqi dhe Itali, me kusht që Moska të kontrollonte të gjithë Ballkanin. Në fakt, kjo marrëveshje do të jetë burimi i të gjitha fatkeqësive, për Oborrin Mbretëror dhe për të gjith shqiptarët. Ajo ishte rrjedhojë e marrëveshjeve në Jaltë dhe Postdam mes Stalinit, Ruzveltit dhe Çërçillit, për ndarjen e sferave të influencës. Për këtë arsye dhe për shkak të ndërhyrjes së qeverisë greke, politika britanike do ta pengojë rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.
Në këtë takim Mbreti do t`i kërkojë diplomatit britanik që t`i lejohej të dërgonte në Shqipëri disa besnikë. Një problem tjetër për të ishte çështja financiare dhe shpenzimet që kërkonte mbajtja e dy legatave (në Egjipt dhe Turqi) dhe e ndonjë përfaqësie shqiptare siç ishte ajo në SHBA. Përpjekjet për të marrë kredi tek bankat britanike, kishin dështuar.
Kjo për shkak se ato e kishin të ndaluar, që në kohë lufte, të mbështesnin financiarisht personalitetet e huaja politike. Prandaj, ai ishte detyruar të prekte pajën e së motrës.
Mbreti shprehu mendimin se duheshin gjetur mjete që në Shqipëri të ngrihej një qeveri provizore në të cilën të bënin pjesë jo vetëm elementë të L.N.Ç; por nga të gjitha partitë e tjera, të kishte përfaqësues, të cilët, të kërkonin mbajtjen një plebeshiti me anën e zgjedhjeve.
Ai, i propozoi gjithashtu Sir A. Ryan kërkesën për t`i dorëzuar një memorandum qeverisë britanike.
Por edhe kjo e fundit nuk u pranua. Kur u shtrua çështja e influencës së komunistëve, Mbreti e reduktoi numrin e tyre, duke deklaruar se në Shqipëri nuk kishte më tepër se 100 komunistë. Në fakt, në këtë periudhë numri i anëtarëve të PKSH-së, ishte diku tek 900 veta. Pjesa tjetër ishin partizanë, që për arsye nga më të ndryshmet, ishin bashkuar me lëvizjen.
Kërkesa e fundit ndaj diplomatit britanik ishte bërë nga ministri i Oborrit, Sotir Martini, për të lejuar që Princeshën që do të udhëtonte drejt Madritit për tu bashkuar me të shoqin ta shoqëronte një besnik.
Një fakt i tillë tregon sesa të izoluar ishin ithtarët dhe Familja Mbretërore gjatë periudhës së Luftës në Britani.
Në dokumentin e nr.2 është analiza që Ministria e Jashtme i bënte kërkesave të Zogut në bisedën e zhvilluar me Sir A. Ryan, ku dalin qartë arsyet, që e shtynë Britaninë e Madhe ta pengonte rikthimin e tij në Shqipëri.
***
Dokumenti nr.1
14 dhjetor 1944
1-Unë hëngra drekë me Mbretin Zog dhe Mbretëreshën Geraldinë në Ritz më 12 dhjetor i ftuar me anën e një letre që kishte ardhur në departamentin e jugut më 9 dhjetor. Në drekë morën pjesë: Z. Laffan, i departamentit të kërkimeve të Ministrisë së Jashtme e gruaja e tij, nga ana shqiptare mori pjesë Sotir Martini dhe Kastrati. Unë shkova një orë më shpejt dhe bisedova me Mbretin vetëm për vetëm, një orë e gjysëm para drekës.
2-Mbreti më tha se kishte disa muaj që nuk kishte marrë asnjë lajm nga Shqipëria nëpërmjet kanaleve të mëparshme të Kostandinopojës. Siç dukej, ai nuk kishte një mendim të qartë për gjendjen e përgjithshme. Ai tha se L.N.Ç. kishte kudo një kontroll të pjesshëm. Ai e dinte që Ballkani e kishte humbur rëndësinë e tij dhe se Abas Kupi ishte nisur për në Bari. Ai e njihte udhëheqësin e L.N.Ç., Enver Hoxhën. Hoxha kishte ngritur një qeveri në Berat duke qëndruar vetë në krye dhe me ministër të Jashtëm, komunistin Dr.Omer Nishanin.
Mbreti dinte pak mbi ngjarjet e fundit të gjeneralit Dali Ndreu, i përmendur në buletinin e 6 dhjetorit mbi “Betejën e Tiranës”, si një oficer i ngarkuar me operacionet, i cili u ngrit në L.N.Ç. duke zënë këtë vend. Ai e njihte atë si një ish oficer me gradë të ulët që kishte shërbyer në Spanjë (siç duket në luftën civile, ku morën pjesë disa shqiptarë nga të dyja anët). Ai përmendi edhe një ose dy persona pjestarë të lëvizjes duke përfshirë edhe Sejfulla Malëshovën, i cili kishte qenë udhëheqësi i grupit komunist në Paris dhe që kishte pranuar (por nuk tha se kur) të punonte me atë vetë (Mbretin). “Në Shqipëri, – tha ai, – komunistët ishin kryesisht në jug, ndërsa në veri Haxhi Lleshi nga Dibra, i biri i një njeriu që kishte patur miqësi me jugosllavët më 1920.
3-Pikat që vijojnë ishin çështjet kryesore të bisedimit tonë.
4-Ai kishte dëgjuar, por nuk ishte i sigurt, se ishte në plan për të dërguar një mision ushtarak britanik dhe një mision civil amerikan në Shqipëri.
5-Ai tha se gjashtë muaj më parë i kishte shkruar Ministrisë së Jashtme, nëpërmjet Sotir Martinit, për t’u takuar me z. Eden dhe kishte ngritur edhe çështjen e lehtësimit të tij për t’u kthyer në Shqipëri, por nuk kishte marrë përgjigje.
6- Ai kishte kuptuar që politika e Rusisë ishte që Britanisë së Madhe t’i linte duar të lira në Greqi dhe në Itali, por me kusht që të vendosej vetë në pjesën tjetër të Ballkanit.
7-Hoxha kishte si qëllim që të ngrinte lart Shqipërinë, por si pjesë e një federate nën patronazhin e Titos, ku të futej Jugosllavia, Bullgaria dhe ndoshta edhe Rumania. Ai vetë ishte në favor të federatës së plotë ballkanike me Shqipërinë, Turqinë dhe Greqinë të bashkuara në një aleancë dhe që të bënin pjesë në federatën më të zgjeruar të gjashtë shteteve. Ai shprehu frikën e madhe për të ardhmen e Shqipërisë nën ndikimin pan-sllav.
8-Në Shtetet e Bashkuara Fan Noli dhe “Vatra” kishin vendosur që të përkrahnin Hoxhën. Ata nuk ishin prishur me Mbretin, por ai mendonte se ajo ishte rruga më e mirë në rrethanat e tanishme. Ata i kishin rekomanduar atij si përfaqësues të Shqipërisë Faik Konicën, por ai nuk donte të dinte për atë kandidaturë ose më mirë nuk i pëlqente të dëgjonte se çfarë ishte thënë rreth tij. (Unë nuk e kapa emrin mirë dhe në çdo rast Mbreti pranonte që vendi i përfaqësuesit nuk ishte njohur zyrtarisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.)
9-Unë vura re në një moment të përshtatshëm se nuk mund të parashikoja të ardhmen në lidhje me kthimin e tij në Shqipëri, por sido që të ishte, koha nuk ishte pjekur për kthimin e tij në Shqipëri. Unë gjithmonë para tri – katër vjetësh i isha lutur atij që të kishte durim e tani përsëri do të veproj po ashtu sepse ashtu është situata.
10-Ai nuk nguli këmbë për kthimin e tij, por pyeti nëse mund të lejohej që të dërgonte njerëzit e tij “oficerë e zyrtarë”, të cilët ishit të varur nga ai. Ai foli me dyshim për anën e tij financiare. Ai i dha rëndësi mbajtjes së misioneve dhe konsullatave të ndryshme jashtë, si p.sh. legatës së tij në Turqi dhe Egjypt, misionit në Washington dhe katër vendeve konsullore. Për shpenzimet e mbajtjeve të tyre dhe të personelit, ai shpenzonte 1000 napolona në muaj. Ai nuk mund të vazhdonte më gjatë ashtu dhe do të, ose ishte mbështetur në pajën e të motrës. Ai i kishte kërkuar hua një banke, por ajo i ishte përgjigjur se e kishte të ndaluar t’u jepte hua personave politikë. Kjo embargo nuk mund të hiqej e t’i akordohej një hua? Unë i premtova se do të ngrija dy çështje për shqyrtim: e para, riatdhesimin e sahanlëpirësve të tij dhe e dyta mundësinë e dhënies së një huaje. Ai m’u lut që t’i jepja një përgjigje unë vetë personalisht se çështja kishte të bënte me njerëzit e tij.
11-Mbreti shprehu mendimin se duheshin gjetur mjete që në Shqipëri të ngrihej një qeveri provizore në të cilën të bënin pjesë jo vetëm elementa të L. N. Ç., por nga të gjitha partitë e tjera, të kishte përfaqësues, të cilët, të bënin që të mbahej një plebeshit me anën e zgjedhjeve. Ai propozoi një memorandum ku shprehte pikëpamjet e tija dhe u konsultua me mua nëse unë mund ta paraqisja në Ministrinë e Jashtme. Unë i thashë se atë gjë nuk mund ta bëja, sepse unë mendova se ai memorandum nuk do të jepte asnjë rezultat në një të ardhme të afërme.
12-Kur u shtrua çështja e dominimit të influencës komuniste në Shqipëri, ai tha se ajo influencë ishte shumë e vogël, se në Shqipëri nuk ka, tha ai, më shumë se njëqind komunistë.
13-Unë përmenda një ose dy kontribute në bisedim. Unë fola pak për rrjedhimet, duke veçuar shprehjen e mendimeve të mija që shpresa më e mirë për të ardhmen e Shqipërisë, për shpëtimin e ndonjë agresioni të ri italian, ishte futja e saj në Federatën Ballkanike, por me kusht që aty të futeshin të gjashtë shtetet ballkanike. Unë shihja ndonjë mënyrë tjetër sesi Shqipëria të qëndronte në këmbët e saja, politikisht dhe ekonomikisht, ashtu siç do të dëshironte Britania e Madhe kur bëri deklaratën në dhjetor të vitit 1942. Unë bëra koment rreth sugjerimit të Mbretit për një aleancë të vogël turko – greke – shqiptare brenda federatës. Unë shpreha simpati për dëshirën e tij që në Shqipëri të formohej një qeveri provizore ku të përfaqësoheshin të gjitha interesat, ku të përdorej një gjuhë e përgjithshme për të zgjidhur të gjitha vështirësitë.
14-Pastaj gjatë drekës Mbreti foli për episodet e kaluara me italianët, me burrat e shtetit italian dhe me persona të tjerë europianë, por këtu nuk vlen të përmenden.
15-Para se të largohesha, z. Martini m’u lut shumë që një burrë, anëtar i rrethit të Zogut të lejohej që të shoqëronte Princeshën Sanije për në Madrid muajin e ardhshëm. Ajo do të shkonte atje për t’u bashkuar me burrin e saj Princin Abid të Turqisë, ish përfaqësues i Mbretit Zog në Francë. Z. Stafford kishte thënë se për vetë Princeshën ishte e lehtë që të shkonte në Madrid, por ishte krejt e pamundur që atë ta shoqëronte një adjutant. Unë kisha kohë të hyja në hollësira, por u thashë se kisha shumë shpresë që vështirësitë të kapërceheshin dhe i premtova që do të nxirrja leje edhe për një shoqërues të Princeshës. Pavarësisht kësaj, Princesha kishte vuajtur nga sëmundje vitet e fundit e kështu kishte nevojë për një shoqërues.
Nënshkruar
Andrew Ryan
***
Dokumenti nr.2
26 dhjetor 1944
Përmbledh një kujtim të bisedimit me Mbretin Zog më 12 dhjetor dhe tërheq vëmendje veçanërisht për paragrafin 10 e 15.
Raporti i Sir A. Ryan nga bisedimi me Mbretin Zog, ngre pesë pika:
a-Mbreti Zog, nëpërmjet M. Martinit, kërkoi një bisedë me Sekretarin e Shtetit. Kërkesa e fundit është në R 17432/G. Asnjë përgjigje nuk i është dhënë. Është bërë fatkeqësisht e qartë se Mbreti Zog nuk ka rast për të shkuar në Shqipëri në një të ardhshme të afërme, po qe se bashkatdhetarët e tij do ta kërkojnë që të kthehet, në qoftë se ata brenda disa vjetëve do të lodhen nga regjimi i F. N. Ç. Sekretari i Shtetit nuk ka asgjë për t’i thënë, veçse në qoftë se i jep shpresa të kota. Tashmë kanë kaluar disa kohë që kur M. Marti i shkroi Sekretarit të Shtetit dhe ne e lamë çështjen në heshtje.
b-Mbreti Zog sugjeroi që ai të lejohej që të dërgonte në Shqipëri “oficerë e zyrtarë”, të cilët vareshin nga ai (paragrafi 10). Unë kam frikë se kjo gjë nuk është praktike. Në qoftë se në do të pregatitemi që të dërgojmë në Shqipëri përkrahësit e Zogut, F. N. Ç. do ta kuptojë që ne duam të kthejmë në fuqi Zogun dhe kështu do të pregatisin ndonjë grusht shteti. Ai front me siguri do të burgosi të gjithë personat që do të implikohen në këtë çështje dhe ne do të mbajmë përgjegjësi edhe përpara Zogut, edhe para F. N. Ç. Sigurisht do të ishte e mundur që këta njerëz të ktheheshin në Shqipëri më vonë, kur atje të vendoset qetësia.
e-Mbreti sugjeroi që të lejohej për të mbledhur një hua këtu se vetëm në këtë mënyrë do të mbante legatat në Turqi dhe Egjypt, misionin e tij në Washington dhe katër poste konsullore (paragrafi 10). Nuk është e qartë se çfarë duhet të bëjmë në lidhje me këtë hua, ose mbi ç’siguri do të ngrihet huaja, në qoftë se ne bindim Thesarin të autorizojë ngritjen e embargos që më parë për personat politikë, por duket evidente që qeveria britanike do ta kishte nënshkruar huan në njëfarë shtrirje. Kjo do të sjelli shqetësime. Ne ka mundësi që ta njohim qeverinë provizore të F. N. Ç. brenda disa muajve. Me këtë ngjarje, edhe indirekt ne nuk mund të ndihmojmë për të mbajtur misionet rivale shqiptare të mbretit në mërgim. Në qoftë se mbreti Zog nuk do t’i mbajë këto misione, burimet e tij do të jenë të mjaftueshme për nevojat e tij, por ai siç duket nuk do ta pushojë ndihmën për ata njerëz, të cilët me besnikëri përkrahën kauzën e tij që nga dita që ai la Shqipërinë. Unë sugjeroj që si hap të parë dhe me qëllim që të na ndihmojë ne për ta parë më mirë këtë ngatërresë, ne mund t’i kërkojmë Sir A. Ryan që të marri më tepër hollësira nga Mbreti Zog rreth huasë dhe në veçanti mbi ndërhyrjen e qeverisë britanike. Ne do të ishim në një gjendje më të mirë për të parë se çfarë mund të bëjmë ne për të ndihmuar Mbretin, për të cilin ne kemi detyrime morale për durimin e madh që tregoi dhe në frenimin e tij që nuk na turbullojë ne në vitet që kaluan.
d-Propozimi i Mbretit Zog për të na dërguar një memorandum ku të jepte pikëpamjet e tij mbi nevojën e vendosjes së një përfaqësuesi qeveritar në Shqipëri. Ne nuk mendojmë se ky memorandum mund të na vijë, por ka rëndësi vetëm nga interesi akademik.
c-Sugjerimi i Mbretit që një anëtar i rrethit të tij të lejohej që të shoqëronte Princeshën Sanije në Madrid. Unë mendoj se ky propozim mund të pranohet dhe paraqesim një plan e t’i jepet për dijeni Sir. A. Ryan. /abcnews.al