Matteo Salvini, kreu i partisë së krahut të djathtë të Italisë, Lega Nord, doli me akuzën se ndaloi zbarkimin e më shumë se 100 emigrantëve në vitin 2019. Salvini, i cili në atë kohë ishte ministër i brendshëm, i la emigrantët të bllokuar në det derisa prokurorët urdhëruan sekuestrimin e anijes dhe evakuimin e njerëzve në bord.
Anija e shpëtimit Open Arms, kaloi pothuajse tre javë në det, pasi Salvini i refuzoi lejen për t’u ankoruar. Në gjyq dëshmitarë janë aktori i njohur amerikan Richard Gere, ish-kryeministri Giuseppe Conte, ministrja e Brendshme, Luciana Lamorgese, si dhe ish-kryeministri maltez Joseph Muskat që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gere ishte në bordin e anijes më 9 Gusht 2019 dhe dëshmia e tij shihet si një pikë kthese për gjyqin. Por prania e aktorit amerikan, sipas Salvinit, e bën gjyqin qesharak.
“Më thuaj sa serioz është një gjyq ku Richard Gere do të vijë nga Hollivudi për të dëshmuar për ‘ligësinë time.’ Shpresoj që të zgjasë sa më pak të jetë e mundur, sepse ka gjëra më të rëndësishme për të bërë. Për dy gjëra me vjen keq: për kohën që po u heq fëmijëve dhe për paratë që italianët shpenzojnë për këtë proces politik të organizuar nga e majta”.
Nëse shpallet fajtor, Salvini mund të dënohet me 15 vjet burg. Dënimi mund ta ndalojë atë që të ushtrojë funksione qeverisëse. Seanca e radhës e gjykimit do të mbahet më 17 dhjetor, ku do te nise edhe dhënia e dëshmive.