Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherazi Drejtues Politik i Qarkut Elbasan, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe deputeti Klevis Xhoxhi inspektuan nga afër punimet për rehabilitimin e insfrastrukturës në lagjen ‘Skënderbej’, në Fushë – Mbret.
Investimi parashikon asfaltim të rrugës, ndriçim, sistemim trotuaresh dhe është pjesë e investimeve që po ndërmerren në Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës dhe urbanizimin e zonës, nga e cila do të përfitojnë 1500 banorë .
“Gjithë kjo paketë investimesh infrastrukturore përmirëson lagjet e Elbasanit. Kjo është domethënëse sepse në fund të fundit edhe qasja jonë si qeveri, si Parti Socialiste ka qenë dhe është që Elbasani të bëhet një qytet sikurse ka edhe historinë. Kjo do të thotë që e gjithë struktura e këtij qyteti të përmirësohet. Natyrshëm nevojat janë të mëdha. Jam i bindur që kryetari i Bashkisë me mbështetjen e qeverisë do adresojmë të gjitha nevojat”, u shpreh Gjiknuri.
Në cilësinë e drejtuesit Politik të Qarkut, Gjiknuri garantoi se të gjithë projektet e filluara dhe ato të premtuara do të çohen deri në fund.
“Elbasani meriton vëmendje dhe investime nga qeveria. Unë jam këtu për të përshëndetur punën e Kryetarit të Bashkisë, gjithë ekipit politik dhe drejtuesëve. Si drejtues Politik i Qarkut do bëj çmos që të gjithë projektet e filluara dhe ato të premtuara do çohen deri në fund. Pas nesh do bëhet dhe një kënd për fëmijët e lagjes, hapësirë publike shumë e mirë për këtë zonë. Qytetarët e shohin vetë diferencën”, përfundoi Gjiknuri.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja sqaroi se në investimin e Bashkisë së Elbasanit me vlerë 7.4 milion lekë, përfshihet rehabilitimi i rrugëve të brendshme, krijimi i një këndi lojërash, rehabilitimi i sistemi të ndriçimit, sistemim trotuaresh, sistemimi i kanalizimeve dhe ujit të pijshëm. “Lagjen ‘Skënderbej’ në Fushë-Mbret po e kthejmë në shërbim të banorëve dhe komunitetit”, theksoi Llatja.