Shtetet e Bashkuara së shpejti do të lejojnë hyrjen në vend përmes transportit ajror të shtetasve të huaj, që janë plotësisht të vaksinuar, ose atyre që paraqesin një test negativ për Covid 19 të bërë brenda 24 orëve para udhëtimit, njofton Shtëpia e Bardhë. Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 8 nëntor dhe do të lejohen “vetëm përjashtime të kufizuara”, thanë zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Biden.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se kjo politikë “vendos shëndetin publik në radhë të parë” dhe mbron si qytetarët dhe banorët e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe vizitorët. Ai shtoi se përjashtimet nga rregulli për vaksinat janë jashtëzakonisht të pakta, kryesisht për fëmijët nën 18 vjeç dhe disa individë nga vende që kanë rezerva shumë të vogla vaksinash. Ata do të duhet të tregojnë testin negativ të bërë brenda 24 orësh.
Po ashtu personat që lejohen të hyjnë pa bërë vaksinën, duhet të pranojnë ta bëjnë atë në SHBA, nëse kanë në plan të qëndrojnë për më shumë se 60 ditë.