Shkencëtari turko-gjerman Ugur Sahin, CEO i kompanisë gjermane të bioteknologjisë BioNTech, e cila së bashku me Pfizer-in amerikan zhvilluan vaksinën e parë me teknologjinë e m-ARN-së, parashikon që virusi të pësojë mutacione të tjera në të ardhmen. Sipas tij, këto mutacione të reja do t’i krijojnë mundësinë virusit që të anashkalojë vaksinat aktuale dhe për këtë arsye, shton ai ato do të duhet të rinovohen nga mesi i vitit 2022. Në një intervistë për Financial Times, Sahin tha se këtë vit krijimi i një vaksine tjetër është krejtësisht e panevojshme. “Por nga mesi i vitit të ardhshëm do të jetë një situatë tjetër,” parashikoi ai.
Sahin vuri në dukje se variantet aktuale të virusit, veçanërisht Delta, janë më ngjitëse, por jo aq të ndryshme sa të minojnë efektivitetin e vaksinave aktuale.
Siç tha ai, dozat përforcuese duket se e kanë aftësinë për të trajtuar llojet ekzistuese të koronavirusit. Megjithatë, shtoi ai, virusi do të zhvillojë mutacione që mund t’i shpëtojnë përgjigjes imune të trupit ndaj vaksinave ekzistuese, duke bërë që të lindë nevoja për një version të modifikuar të vaksinës.
“Ky virus do të qëndrojë dhe do të përshtatet më tej. Ne nuk kemi asnjë arsye të supozojmë se brezi i ardhshëm i virusit do të jetë më i lehtë për t’u trajtuar nga sistemi imunitar sesa brezi aktual. Ky është një evolucion i vazhdueshëm dhe ky evolucion sapo ka filluar,” tha Sahin. Ai parashikoi se në vitin 2022 do të ketë dy tendenca kryesore në programet e vaksinimit: doza përforcuese për njerëzit e vaksinuar dhe presion i vazhdueshëm për të vaksinuar të pavaksinuarit.