Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Standardet, Milva Ekonomi priti sot në një takim pune ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, me të cilin diskutoi mbi gjetjet e Raportit 2021 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
“Diskutuam dhe punën në vazhdim për arritjen e një zbatimi të unifikuar të standardeve për shërbimet publike në të gjithë vendin”, u shpreh Ekonomi.
Ministrja vuri në dukje se, ruajtja e fokusit në standardet evropiane dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së mbetet pikë e rëndësishme drejt integrimit evropian.
“Në veçanti, digjitalizimi i shërbimeve publike dhe monitorimi i duhur i standardeve, cilësisë dhe kohës së ofrimit të tyre janë thelbësore në rritjen e konkurrueshmërisë së vendit tonë ndërsa ecim përpara drejt kësaj rruge”, theksoi Ekonomi.