Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës priti në muajt janar-shtator të këtij viti rreth 43 mijë vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “rreth 50% e vizitorëve janë të huaj si polakë, bjellorusë, ukrainas, si edhe nga vende të ndryshme të Europës”.
Sipas tij, vetëm gjatë muajit shtator të dy muzetë u vizituan nga 8700 vizitorë.
“Pjesa më e madhe e turistëve janë nga Ukraina, Izraeli, Serbia, por edhe këtë vit, polakët përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve të huaj”, – shtoi Hafizi.
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore në Shqipëri. Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.
Krahas pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për tu vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik.
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.
Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale.