Tingëllon e pabesueshme por Barcelona shënon golin e parë në Champinos League në xhiron e tretë, një gol trepikësh i Pique që i jep fitoren e parë në Grupin E dhe mban të gjallë shpresat për të kaluar fazën e grupeve. Në “Camp Nou”, blaugranët kalojnë Dinamo Kiev me rezultatin minimal 1-0, nuk shkëlqejnë por në përgjithësi e kishin ndeshjen në kontroll. Ishin të rrezikshëm që në fillim me Dest dhe Luuk de Jong por pa mundur të dërgojnë topin në rrjetë.
Muri ukrainas ra më në fund në minutën e 36-të kur Jordi Alba nga e majta futi një top të bukur në qendër me Pique që nuk shpërdoroi duke shënuan një gol me shumë peshë që në fund rezultoi një trepikësh. Në pjesën e dytë, Koeman hodhi në fushë, Ansu Fati dhe Coutinho, të dy lojtarët ishin rrezik konstant në zonën e Dinamo Kiev por pa mundur të “vrasin” ndeshjen, detaj ky që u ndal dhe trajneri Koeman në konferencë për shtyp:
“Në pjesën e dytë krijuam të paktën tre raste të pastra. Nuk mund të shpërdorosh kaq shumë kur rrezikon jetën. Për fat të mirë ishim perfekt në fazën mbrojtëse. “El Clasico”? Mendoj se jemi gati për të luajtur dhe për të mundur Real Madrid”, u shpreh ndër të tjera trajneri i Barcelonës në konferencë për shtyp.