Shqipëria ka nisur punën për të pritur sërish një nga stërvitjet më të mëdha “Defender 2023”.
Për këtë u organizua edhe konferenca koordinuese, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë.
Në fjalën e tij, ministri Peleshi e cilësoi një histori suksesi stërvitjen “Defender 2021”, e cila u zhvillua disa muaj më parë.
“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për të ndihmuar dhe lehtësuar të gjitha kërkesat specifike dhe të përgjithshme për ekzekutimin e saj të shpejtë. Stërvitje të tilla me shikueshmëri të lartë tregojnë rëndësinë strategjike të Politikës së Zgjeruar të Parandalimit të SHBA-së për NATO-n dhe aleatët dhe partnerët e saj evropianë si dhe rithekson angazhimin e fortë që Aleanca, dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara, i kushtojnë rajonit tonë. “Defender Europe” për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën”, – theksoi Peleshi.
Teksa siguroi mbështetjen dhe ndihmën maksimale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA për stërvitjen e radhës “Defender – 23”, ministri Peleshi tha se Shqipëria konfirmoi gatishmërinë të shërbejë sërish si vend pritës për serinë e “Defender”.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë si për “Defender 2021” ashtu edhe për angazhimin e shprehur për “Defender 2023”. Ambasadorja Kim tha se “Shqipëria tregon edhe një herë se është një partner i vërtetë dhe këtë e ka treguar vazhdimisht, si një mik dhe një aleat besnik e kurajoz i SHBA”.
Ndërsa në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj u shpreh i sigurt se “’Defender Europe 23′, përmes aktiviteteve dhe demonstrimit të aftësive të saj do t’u japë kundërshtarëve një mesazh të qartë dhe të fortë parandalimi dhe mbrojtjeje”.