Ndërprerja e procesit të vetingut në këtë moment do të ishte një katastrofë për reformën në drejtësi u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për Euronews Albania. Sipas kreut të qeverisë shtyrja e afateve është një interes madhor për vendin ndaj shtoi se për këtë çështje uronte që opozita nuk do të bëhet pengesë. “Nuk dua ta besoj se opozita do t’i dalë sërish përballë (faktorit ndërkombëtar). Nuk është puna se po i del përballë qeverisë por një domosdoshmërie. Reforma në drejtësi ka një tërësi faktorësh, qeveria, opozita, SHBA dhe BE”, tha z. Rama.
Kryeministri mohoi të ketë pasur negociata me liderin e opozitës për këtë çështje duke thënë se “nuk kemi se çfarë negociojmë”. “Ne kemi votat tona dhe nuk dua ta mendoj që edhe njëherë nga e para opozita do t’i rikthehet llogores së vjetër. Ky është një proces ndërpartiak dhe me interes kombëtar si dhe lidhet me sigurinë dhe prosperitetin e vendit”, tha ai.
I pyetur se pas 5 vitesh, reforma në drejtësi ende nuk ka sjellë rezultate domethënëse, kryeministri tha se “këto vite janë shumë për një mandat qeverie por nuk janë asgjë në një proces shtet-ndërtimi të një vendi”.