Makina inteligjente e Policisë Rrugore ka konstatuar 287 shkelje për shpejtësi ditën e djeshme në rrugët e kryeqytetit, në Kamzë dhe në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë. Policia e Shtetit njofoti sot se, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës, vijon monitorimin e qarkullimit të automjeteve, duke përdorur makinën inteligjente, me intervale të shkurtra kohore në të gjitha rrugët e kryeqytetit, në Kamzë dhe në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë.

Gjatë orëve të paradites, në Kamzë dhe në rrugët e tjera të qytetit, si dhe gjatë orëve të mbrëmjes në rrugën inter-urbane Tiranë-Durës-Tiranë, makina inteligjente ka konstatuar 287 shkelje për shpejtësi, nga të cilat janë evidentuar 43 raste me shpejtësi nga 80 km/h deri në 98 km/h në Kamzë, ndërsa në rrugën Tiranë-Durrës, shpejtësi deri në 169 km/h. Gjithashtu, po gjatë verifikimit rezultoi se krahas shpejtësisë, një numër i madh i drejtuesve të mjeteve kishin bërë dhe një shkelje të dytë, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë mbrëmjes, konkretisht 108 ishin edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, ndërsa 61 edhe për mos vendosje të rripit të sigurimit.

Ndërkohë, si rezultat i kontrolleve intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë vendosur 1059 masa administrative për shkelje që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Nga monitorimi me radarë dhe alkooltestues janë pezulluar edhe 31 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.