Kryeministri Edi Rama tha se studentët që nuk kanë marrë vaksinën normalisht nuk duhet të shkojnë në mësim por nga ana tjetër qeveria nuk mund të çojë në ambjentet universitare forca për t’i ndaluar apo nxjerrë jashtë.
“Por sigurisht kjo është çështje e autoriteteve sepse qeveria nuk mund të çojë në universitet forca për t’i ndaluar apo nxjerrë jashtë studentët””, tha Rama duke shtuar se Ministria e Arsimit duhet të vazhdojë të nxisë studentët që të vaksinohen dhe t’ju garantojë këtë proces dhe të sigurohet një ambient i sigurt për ta.
I pyetur se ku është dallimi mes auditoriumeve dhe kafeve ku nuk kërkohet vaksina, kryeministri u shpreh se “nuk shkohet në auditorë apo kudo qoftë si në llotari me jetën”.
“Në Stadium ideja ishte që duhej të bëhej hyrja vetëm për persona të vaksinuar”, shtoi kryeministri duke thënë se nuk e di se a është zbatuar ky rregull.
Gazetarja e Euronews Albania i rikujtoi kryeministrit se si Shqipëria e nisi procesin e vaksinimin si ndër vendet e para në Europë, dhe sot është e parafundit në Europë…vetëm 29% e qytetarëve të Shqipërisë kanë bërë të dyja dozat e vaksinës.
Kryeministri tha se ritmi i vaksinimit ka rënë jo se nuk ka vaksina, por se “jemi në kushtet kur një pjesë e shoqërisë ka rënë në inercinë e relaksimit të përgjithshëm” dhe e quajti atë pajustifikueshme.
“Ajo çfarë ne na takon është që ne të garantojmë vaksinat; ajo që ne na takon është që në bazë të dozave që kemi në dispozicion të vaksinojmë maksimalisht, gjë që e kemi bërë. Por, Shqipëria ka pasur një politikë të qëllimshme specifikisht për të mos e ngufatur krejtësisht shoqërinë”, tha kryeministri.
Ai rikujtoi se në vendet ku vaksinimi ka ecur më shpejtë, ka pasur shumë më tepër shtrëngime dhe kufizime dhe se sot nuk mund të futet askush askund pa treguar pasaportën e vaksinimit.