Covid-19 ka përkeqësuar mirëqenien e shëndetit mendor. Depresion, ankth, dëmtim të vetvetes janë kryesisht shqetësimet që prekin veçanërisht gratë dhe të rinjtë, por pa kursyer edhe fëmijët.

Nga vlerësimet e para globale të publikuara në revistën “Lancet” për vitin 2020, raportohet për 53 milionë raste të depresionit të lartë dhe 76 milionë raste të çrregullimeve të ankthit të lidhura drejtpërdrejt me pandeminë.

Këto shifra shumë të larta janë bërë të ditura me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Gati 1 miliard njerëz jetojnë me çrregullime mendore, kryesisht më të prekura janë vendet e varfra, ku 75% e njerëzve nuk marrin asnjë ndihmë për tu trajtuar.

Çdo vit mbi 1 milion njerëz vdesin nga abuzimi me përdorimin e substancave për të përballuar depresionin. Një në 4 të rinj të moshës 18- 24 vjeç thanë se kanë rritur dozën e substancave për përballimit e stresit shkaktuar nga Covid-19, shkruan Ansa.it.

Në vitin 2020 vetëvrasjet u shtuan, vetëm një Japoni nga qershori deri në tetor të 2020-tës u rritën me 16% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Gjithashtu revista “The Lancet Regional Health”, tregon se nivelet e depresionit janë trefishuar në një vit pandemik dhe se simptomat janë përkeqësuar.

Në muajt mars-prill 32.8% e të rriturve në SHBA raportuan simptoma të rënda depresive.

Ndërkohë pandemia nuk ka kursyer as fëmijët, ku sipas “Save the Children” 83% e fëmijëve në të gjithë botën ndjejnë një rritje të nivelit të ndjenjave negative të ankthit , vetmisë apo depresionit. Për më tepër në vendet ku shkollat u mbyllën shqetësimi psikologjik u rrit në 96% të rasteve.

Të dhënat janë bërë të ditura pas një sondazhi i kryer nga kjo organizatë në shtator të 2020-ës tek mbi 13,000 fëmijë.

Pabarazitë e krijuara nga Covid kanë pasur pasoja mbi shëndetin mendor, duke ndikuar veçanërisht tek pjesa më e brishtë e popullsisë.