Kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna ka deklaruar se vaksina e saj mRNA kundër Covid-19 – në doza më të vogla është efektive tek fëmijët 6 deri në 11 vjeç. Studiuesit morën në studim 4,753 fëmijë, disa prej të cilëve morën dy doza të vaksinës me interval prej 28 ditësh.
U vu re se fëmijët prodhonin antitrupa neutralizues rreth një herë e gjysmë më të larta se nivelet tek të rriturit që kishin marrë dozën e plotë. Kompania tha se tek fëmijët u vunë re disa efekte anësore “të lehta deri të moderuara” , të tilla si lodhje, dhimbje koke, ethe dhe disa dhimbje në vendin e injektimit, pra simptoma të ngjashme me ato te disa adoleshentë dhe të rritur.
Fëmijët do të vazhdojnë të monitorohen për 12 muaj pas dozës së dytë. Moderna ka kërkuar miratimin emergjent për grupmoshat 12-17 vjeç. Deri më tani, FDA ka miratuar vaksinën Moderna për personat mbi 18 vjeç dhe vaksina Pfizer për fëmijët mbi 12 vjeç.