Kalaja e Ali pashë Tepelenës është kthyer në një ndër pikat turistike më interesante për vizitorët dhe turistët e huaj, pas investimit në rehabilitimin e rrugëve të brendshme të kalasë por edhe hapësirave rreth saj.
Kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi u shpreh për ATSH-në se “investimi me financim të qeverisë e ka shndërruar këtë zonë, në një potencial të rëndësishëm turistik, me vlera të larta për ekonominë e zonës”.
Investimi i realizuar në kuadër të projektit “Rikonstruksioni i rrugëve të brendshme të kalasë “Ali pashë Tepelena”, ka kuruar në çdo detaj infrastrukturën e kësaj zone sipas standardeve më të mira, duke krijuar një model në zgjerimin e mundësive për investime në turizëm dhe në shërbimet mbështetëse të turizmit.
Peçi tha se “restaurimi i brendshëm i kalasë, një monument me vlera të rralla historike e kulturore është tashmë një tjetër vepër publike në shërbim të komunitetit që i jep bashkisë më shumë të ardhura”.
Kalaja e Ali pashë Tepelenës është listuar si monument kulturor i kategorisë së parë në 1963 dhe ndodhet në veri të qytetit Tepelenë.
Kalaja e ndërtuar nga Ali Pashai për të rrethuar sarajet e tij është monumenti më i rëndësishëm në Tepelenë. Me sipërfaqe 4.5 hektarë, ajo u ndërtua në vitin 1819 dhe sot është një ndër objektet më të rëndësishme historike me mjaft interes për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.