Tirana me qendrën e saj të nanoteknologjisë Nano Alb do ta shndërrojë vendin tonë në lider në Ballkan në këtë fushë. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka takuar liderin shqiptar të nano-teknologjisë në Barcelonë, Prof. Arben Merkoçin, teksa thekson se Tirana do të bëjë gjithçka që iniciativa Nano-Alb të jetë histori suksesi për shkencëtarët e rinj.

“Ishte një kënaqësi e veçantë takimi me liderin shqiptar të nano-teknologjisë në Barcelonë, Prof. Arben Merkoçin. Qyteti i Tiranës do të bëjë gjithçka që nisma Nano-Alb të jetë histori suksesi për shkencëtarët e rinj, teksa Tirana përgatitet për EYC2022”, shkruan Veliaj.

NanoAlb është aktualisht një qendër virtuale e cila synon të shndërrohet në një qendër të ekselencës e cila do të shërbej edhe si model për qendra të tjera. Nga ana tjetër, duke qenë nga të vetmet në zonë, do ti shërbej pozicionimit të Shqipërisë në këtë fushë kaq të rëndësishme duke u bërë lider në Ballkan dhe duke shërbyer si një urë bashkëpunimi me qendra të tjera të rëndësishme të nanoteknologjisë në Evropë dhe në botë.

NanoAlb synon evidentimin dhe koordinimin e aktiviteteve më të rëndësishme të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë në Shqipëri. Objektivi kryesor janë fushat me rendësi jetike në Shqipëri si diagnostikimi i sëmundjeve (duke përfshire epidemitë), ndotësve emergjente (metalet e rënda si merkuri, plumbi, kadmiumi, pesticidet e përdorur në bujqësi dhe lëndëve të tjera kimike të rrezikshme për shëndetin e njeriut të përdorura në industri të ndryshme) dhe teknikat bashkëkohore përkatëse të kërkimit shkencor të lidhura me metodat e diagnostikimit me nanobiosensorë.